Ministria e Financave ndryshon procedurat për rimbursim të TVSH-së

22/12/2016

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në shtator të vitit 2015, Ministria e Financave (MF) aprovoi Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 03/2015 për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për zbatimin e TVSH-së. Ky UA që përmban 79 nene dhe ka gjatësi 290 faqe, ishte aprovuar brenda një kohe të shkurt pas hyrjes në fuqi të Ligjit për TVSH, dhe ndër të tjera paraqiste rregulla të reja për rimbursimin të TVSH-së ndaj bizneseve. Sipas UA, bizneset duhej të paraqisnin kërkesë të re në çdo rast kur Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) konsideronte se shuma për rimbursim është tejkaluar.

Në një analizë të Institutit GAP për efektet e Ligjit për TVSH, të publikuar në nëntor 2016, është adresuar edhe problemi i procedurave të tejzgjatura të rimbursimit të TVSH-së, si pasojë e kushtëzimit të cekur më lartë. Në dhjetor 2016, Ministria e Financave (MF) publikoi udhëzimin e ri administrativ nr.06/ 2016 për zbatimin e ligjit për TVSH. Përmes këtij UA, MF ka ndryshuar edhe procedurat e rimbursimit të TVSH-së. Tash bizneset mund të rimbursojnë TVSH-në pa procedura shtesë, për pjesën në të cilën është pajtuar ATK, edhe në rast se totali i shumës në kërkesën e tyre për rimbursim tejkalon shumën mbi të cilën është pajtuar ATK.

Për fund, bizneset kanë pasur kërkesa shtesë për ndryshime të UA për TVSH, që nuk janë marrë parasysh në këtë ndryshim. Këto kërkesa përfshijnë lirimin nga TVSH të transaksioneve financiare ndërmjet kompanive dege dhe atyre amë, zgjerimi i listës së produkteve të teknologjisë informative që përfitojnë nga TVSH e reduktuar etj. MF ka planifikuar që në pakon e re fiskale të zgjerojë listën e produkteve që përfitojnë nga TVSH e reduktuar. Instituti GAP rekomandon që krahas zgjerimit të listës së këtyre produkteve, MF të shqyrtojë edhe kërkesën e bizneseve për largimin e TVSH-së në transaksione financiare.