?>

Instituti GAP prezanton platformat online në tryezën e MAPL

19/07/2017

Përfaqësuesit e Institutit GAP kanë prezantuar platformat online në tryezën e rrumbullakët me temë "Platformat online mbi qeverisjen lokale - ndarja e përvojave dhe informacionit me shoqërinë civile", e organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe OSBE-ja. Qëllimi i tryezës ka qenë prezantimi i platformave online të ndërtuara nga organizatat e shoqërisë civile që kanë për qëllim promovimin e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies në qeverisjen lokale.  

Në këtë rast, Instituti GAP ka prezantuar dy platformat që ndërlidhen me transparencën dhe llogaridhënien – platformën buxhetore “Si i shpenzon shteti paret tona” dhe platformën për qeverisjen në nivelin lokal “Letërnjoftimi i Komunave”. Të dy këto platforma përmbajnë informata të rëndësishme për indikatorë të ndryshëm që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale.

Platforma buxhetore është një pasqyrim vizual për shpenzimet dhe të hyrat buxhetore për secilin institucion të nivelit qendror dhe lokal, duke përfshirë edhe agjencitë e institucionet e pavarura. Ndërsa, platforma tjetër ofron të dhëna mbi  të gjitha premtimet e dhëna nga kryetarët aktual të komunave në zgjedhjet e kaluara lokale si dhe vlerësimin e Institutit GAP-it për shkallën e përmbushjes se këtyre premtimeve. Të dy këto platforma ofrojnë mundësinë e krahasimit të komunave në mes vete.

Të pranishmit në këtë tryezë kanë potencuar  se platformat e tilla online  e bëjnë shumë me të lehtë qasjen e qytetarëve në të dhëna publike dhe ndikojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.