Gjykata konstaton se MZHE ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin në procesin e privatizimit të KEDS dhe tenderin për “Kosova e Re”

11/01/2018

Më 9 janar 2018, Instituti GAP ka marr Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e aprovon si të bazuar padinë Institutit GAP për mos lejim të qasjes në dokumente publike. Gjykata ka konstatuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe KEK kanë shkelur nenin 41 të Kushtetutës dhe Ligjin për qasje në dokumente publike kur nuk kanë lejuar qasje në asetet e privatizimit të KEDS dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.

Më 3 qershor 2013, Instituti GAP, i mbështeture nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ka parashtruar padi kundër MZHE për mos lejim të qasjes në dokumente publike. Instituti GAP dhe KOSID, gjatë periudhës 2011-2013 kanë parashtruar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike në proceset e privatizimit. Të gjitha kërkesat janë refuzuar nga MZHE me arsyetimin se ato dokumentet janë drafte dhe janë dokumente te klasifikuara për të cilat nuk lejohet qasje.

Gjykata ka konstatuar se edhe dokumentet e pa përfunduara janë dokumente publike në të cilat duhet të lejohet qasja, si dhe ka konsideruar si të paarsyetuar përgjigjen e MZHE se dokumentet e privatizimit të pasurisë publike hyjnë në kategorinë e dokumenteve konfidenciale. Përveç kësaj, Gjykata konstaton se edhe KEK ka bërë shkelje të Ligjit për qasje në dokumente publike kur nuk ka pranuar që të përgjigjet në kërkesat për transparencë me arsyetimin se Ligji për qasje në dokumente publike nuk aplikohet edhe për ndërmarrjet publike.

Aktgjykimi detyron Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që brenda 30 ditëve të lejoj qasje në asetet e privatizuara të KEDS dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.

Ky Aktgjykim, i cili ka ardhur katër vite e gjysmë pas parashtrimit të padisë, është i vonuar, duke marr parasysh se gjatë kësaj periudhe është përmbyllur procesi i privatizimit të aseteve të KEDS dhe lista e aseteve është bërë publike pas privatizimit. Vlen të përmendet se në listën e aseteve të privatizimit të KEDS janë përfshirë edhe katër hidrocentrale, shitja e të cilave është mbajtur sekret nga publiku dhe nga Kuvendi i Kosovës. Instituti GAP dhe KOSID vlerësojnë se lejimi në qasje në asetet e KEDS në kohën kur është parashtruar kërkesa, do të parandalonte dëmtimin e interesit publik. Njëkohësisht, shprehim keqardhje që pas tërë këtyre fakteve, prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme të ngrit padi për procesin e privatizimit të KEDS.

Sa i përket qasjes në dokumentet tenderuese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, aktgjykimi është i vonuar për faktin se Qeveria e Kosovës vetëm se ka nënshkruar kontratën finale për ndërtim. Më 21 dhjetor 2017, Instituti GAP ka dërguar kërkesë në MZHE për qasje në kontratën e nënshkruar, por deri më tani kjo nuk është lejuar me arsyetimin se kontrata e nënshkruar nuk është finalizuar. Duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duhet të lejohet qasja edhe në dokumentet jofinale, andaj Instituti GAP i bën thirrje edhe një herë MZHE-së që të lejoj qasje në kontratën e nënshkruar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Instituti GAP dhe KOSID shprehin zhgënjimin se aktgjykimi nuk parasheh edhe dënime për institucionin dhe personat përgjegjës për mos lejim në qasje në dokumente publike, ashtu siç parashihet me ligj.

KËTU mund ta gjeni Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.