Në prill të vitit 2016, Instituti GAP publikoi analizën mbi monopolin në homologimin e veturave, analizë e cila ofron argumente për shumë shkelje të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës për shkak të një kontrate ekskluzive dhjetëvjeçare dhënë një kompanie private nga Ministria e Infrastrukturës (MI) në vitin 2008.
Me ftesë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), në tetor të vitit 2016 Instituti GAP bëri një kërkesë zyrtare për opinionin profesional të AKK-së nëse kjo kontratë shkel Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Për fat të keq, AKK-ja nuk dha kurrë një opinion mbi kërkesën e Institutit GAP.
Në nëntor të vitit 2017, MI lëshoi një udhëzim të ri administrativ përmes të cilit synon të ruajë monopolin e kompanisë private në detyrë nëpërmjet kufizimeve të ndryshme dhe pengesave për hyrje në treg për kompanitë e reja. Gjatë procesit të konsultimit publik, Instituti GAP i ka përcjellur rekomandimet tek MI duke e paralajmëruar se ky udhëzim administrativ shkel Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, komente të cilat janë dorëzuar edhe në AKK. Gjatë dhjetorit 2017, Instituti GAP përmes një tryeze të rrumbullakët zhvilloi diskutime rreth monopolit të homologimit të automjeteve me palët e interesuara si: Ministria e Infrastrukturës, AKK, shoqëria civile etj.
Më 22 dhjetor 2017, AKK-ja dha mendimin e saj profesional për udhëzimin administrativ të lartpërmendur, mendim i cili ishte plotësisht në përputhje me rekomandimet e Institutit GAP të dhëna në analizë dhe komentet e dorëzuara në MI. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt thyerjes së monopolit dhe Instituti GAP do të vazhdojë avokimin që MI t’i zbaton këto rekomandime në udhëzimin e ri administrativ.