Zbatimi i objektivave të dala nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA): Cili ishte progresi i institucioneve gjatë vitit 2018

01/02/2019

Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike kanë monitoruar përgjatë vitit 2018 të arriturat që institucionet përgjegjëse kanë treguar në zbatimin e masave të dala nga Agjenda për Reformë Evropiane ku kemi përfshirë edhe masat e dala nga vendimi i Qeverisë në nëtor të vitit 2017.

Monitorimi nga organizatat bashkëpunëtore është realizuar për të tri shtyllat e ERA-së: Qeverisja e Mirë dhe Sundimi e Ligjit, Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve, dhe Punësimi dhe Arsimi.

ERA përcakton 29 masa, nga të cilat ne kemi identifikuar 108 veprime, ku rreth 63% janë plotësuar në tërësi, rreth 19% janë pjesërisht të plotësuara, rreth 18% mbesin të paplotësuara.

Njomza Mjeku nga GSJP tha se në shtyllën e parë, Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, 73% e veprimeve janë të plotësuara, 16% janë pjesërisht të plotësuara dhe 11% mbesin të paplotësuara. Disa ngecje në këtë fushë janë miratimi i legjislacionit duke e bërë të detyrueshëm pezullimin dhe/ose largimin e zyrtarëve publik, përkatësisht të akuzuarve dhe te dënuarve për korrupsion; përgatitja e pakos ligjore për reformën zgjedhore; përgatitja e Ligjit për financimin e partive politike; përfundimi i auditimit të financave të partive politike; zbatimi i Planit për racionalizimin e agjencive të pavarura dhe organeve qëndrore në kuadër të Qeverisë, e të tjera.

Ndërsa, Nora Jusufi nga Instituti GAP theksoi se në shtyllën e dytë, Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve,  57% e veprimeve janë të plotësuara, 23% janë pjesërisht  të plotësuara dhe 20% janë të paplotësuara.  Një arritje që vlen të theksohet për tremujorin e fundit 2018 është miratimi i Ligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe miratimi i bordit të fondit përkatës megjithëse funksionalizimi i këtij të fundit ende nuk ka filluar. Po ashtu, përmirësimi i statistikave të prodhuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). dhe prodhimi i statistikave të reja për biznese, fuqi punëtore, e buxhete familjare është një arritje tjetër. ASK vazhdimisht publikon statistikat e parapara duke përshpejtuar kohën e publikimit si dhe duke përmirësuar metodologjinë. Megjithatë, ASK nuk i publikon databazat e plota duke vështirësuar përdorimin e atyre të dhënave.

Dhe për shtyllën e tretë, Punësimi dhe Arsimi, Visar Xhambazi nga PIPS, shtoi se  59% e veprimeve janë të plotësuara, 19% janë pjesërisht  të plotësuara dhe 22% janë të paplotësuara. Vlen të theksohet se planet e veprimit për Punësim dhe Politikat Sociale si dhe Punësimin e të Rinjve u plotësuan në fund të 2018 sa i përket fushës së Punësimit, dy masat e identifikuara janë plotësuar në përpikëri. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka mbaruar të gjitha detyrat e nevojshme në raport me ERA.  Tutje, për shkak të sfidave të shumta, nuk do të ketë themelim të Agjencionit për Kurrikulë, Standarde dhe Veprim, por do të fuqizohet divizioni për standarde vlerësim dhe monitorim. Si rrjedhojë, me rekomandim të BE-së, ky veprim do të largohet nga lista e kritereve të ERA.