GAP, PIPS dhe GLPS prezantuan raportin final mbi monitorimin e Agjendës për Reforma Evropiane 2018

15/03/2019

Instituti GAP së bashku me Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) organizuan tryezë diskutimi ku prezantuan raportin “ Agjenda për Reforma Evropiane - Raporti i Monitorimit për vitin 2018”. Në këtë tryezë u diskutua për performancën dhe efikasitetin e përmbushjes së obligimeve nga ana e Kosovës në kuadër të ERA si dhe pritshmëritë për ERA 2.

Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) fokusohet në tri shtylla kryesore:

- Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit, monitoruar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike;

- Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve, monitoruar nga Instituti GAP;

- Punësimi dhe Arsimi, monitoruar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

GAP, PIPS dhe GLPS, vazhdimisht kanë monitoruar procesin në mënyrë intensive në ministritë përkatëse dhe kanë përmbledhur vlerësimet e tyre të cilat janë të identifikuara në raport. Ky raport përfshinë edhe rekomandime të cilat do të mund të përdoren në përpilimin e ERA 2.

Gjatë kësaj tryeze u prezantua edhe platforma online për monitorimin e ERA, e cila ka për qëllim të ofrojë informata të detajuara për mediat dhe publikun lidhur me procesin e monitorimit, performancën dhe efikasitetin e përmbushjes së obligimeve nga ana e Kosovës në kuadër të ERA. Platformën online mund ta gjeni duke klikuar në këtë link, www.eramonitoring.org.

Në këtë tryezë diskutimi, panelistë të ftuar ishin: Znj. Dhurata Hoxha, Ministre e Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës; Sh.S. Zj. Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së /Përfaqësuese Speciale e BE- në Kosovë; dhe Sh.S. Zj. Gerrie Willems – Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.