Garancitë nëse ndërtohet termocentrali "Kosova e Re"

03/05/2019

A e dini se përveç garancisë për blerjen e gjithë prodhimit, Qeveria e Kosovës garanton ContourGlobal edhe furnizimin me thëngjill kualitativ, ujë, si dhe deponimin e hirit dhe gipsit?

Analizat e thëngjillit të shfrytëzuar nga TC Kosova A dhe B tregojnë se vlera kalorike e thëngjillit në pesë vitet e fundit ka qenë mesatarisht 7.580 GJ/t. ContourGlobal do të pranojë të blejë thëngjill vetëm nëse vlera kalorike bie në brezin e 8.000 - 9.500 GJ/t.

Në vitin 2018, kërkesa e TC Kosova A dhe B për ujë ka qenë afërsisht 7.50 milionë m3/vit (për termocentral). Mesatarisht, vlerësohet se TC ‘Kosova e Re’ do të ketë nevojë për 7.80 milionë m3/vit ku furnizues do të jetë hidrosistemi i Ibër-Lepencit. 

Në vitin 2018, rreth 620,000 t/vit (hi) janë deponuar si rezultat i procesit të djegies së thëngjillit nga TC Kosova B. Qeveria e Kosovës ka marrë për barrë që të garantojë edhe trajtimin e hirit dhe gipsit. Mesatarisht, vlerësohet se për TC ‘Kosova e Re’ do të duhet të deponohen plotë 900,000 t/vit (hi) dhe 104,000 t/vit (gips).