GAP publikoi raportin “Mbrojtja e Konsumatorëve në Sektorin Bankar”

31/05/2019

Sot, Instituti GAP organizoi tryezë diskutimi ku prezantoi raportin “Mbrojtja e Konsumatorëve në Sektorin Bankar”.

Në hapje të diskutimit, Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP, theksoi se tryeza do të trajtojë një pjesë të vecantë të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, konkretisht pjesën e marrëveshjeve të kredive për konsum. Ai gjithashtu theksoi edhe rolin e Institutit GAP në të kaluarën në plotësimin e vakuumit informativ me të cilin janë përballur qytetarët në lidhje me mungesën e normës efektive të interesit nëpër cmimore të bankave.

Nora Jusufi, hulumtuese në Institutin GAP, theksoi se raporti shqyrton ligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorëve për pjesën e marrëveshjeve të kredive, përmbajtjen e informatave në çmimoret e bankave, rolin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në mbrojtjen e konsumatorëve dhe obligimet ligjore përcjellëse. Një nga gjetjet kryesore ishte që ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorëve parasheh krijimin e një formulari standard për informacionin para-kontraktor ku duhet të përfshihen të gjitha detajet e kontratave të kredive përfshirë një shembull për kalkulimin e Normës Efektive të Interesit, sic është e paraparë në rregulloren përkatëse që nga viti 2013. Po ashtu, ligji ka specifikuar afatin e mbylljes së kredive, ka ulur provizionin në rast të parapagimit të kredisë, si dhe parasheh vlerësimin e kredive bazuar në informatat e regjistrit të kredive të Kosovës, ndër të tjera.

Ndërsa, Vlora Osmani, Kryetare e Komitetit Ligjor të Shoqatës së Bankave të Kosovës, theksoi angazhimin e shoqatës gjatë procesit të krijimit të ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorëve. Po ashtu, ajo theksoi se bankat komerciale në Kosovë e respektojnë në tërësi ligjin në fjalë.

Kurse, Venera Agani, Drejtoreshë e Divizionit të Ankesave në BQK, foli për angazhimin e këtij divizioni në trajtimin e e ankesave të qytetarëve lidhur me shërbimet bankare, rolin e BQK-së në edukimin financiar të qytetarëve, dhe punën e BQK-së në monitorimin e bankave komerciale sa i përket trajtimit të ankesave të konsumatorëve.

Në tryezë morën pjesë pjesëmarrës nga Oda Ekonomike e Kosovës, anëtarët nga Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe përfaqësues të bankave.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.