Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për përdorim të telefonave mobil për vitin 2018

07/10/2019

Përdorimi i telefonave mobil dhe fiks në institucionet qendrore përcaktohet nga Udhëzimi Administrativ nr. 04/2008 i hartuar nga Qeveria e Kosovës. Në të përcaktohen kufijtë e këtyre shpenzimeve me qëllim të kryerjes së punëve dhe detyrave të zyrtarëve në mënyrë të rregullt dhe efikase. Sipas këtij udhëzimi, të drejtë për telefon roaming (shfrytëzimi i telefonisë mobile jashtë shtetit)  e kanë kryeministr-i/ja, zëvendëskryeministrat/et, sekretar-i/ja i/e përgjithshëm/e i zyrës së kryeministrit dhe shef-i/ja i/e kabinetit të kryeministrit, të cilat shpenzime sillen nga 150 deri në 250 euro sipas lartësisë së postit politik. Ndërsa, qasje në telefona fiks kanë të gjithë zyrtarët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe janë gjithsej 14 pozita qe kanë të drejtë për mbushje të telefonave mobil të cilat sillen nga 20 deri në 70 euro në muaj varësisht nga lartësia e pozitës.

Bazuar në raportin financiar të Ministrisë së Financave, në vitin 2018, Institucionet e Qeverisë së Kosovës kanë shpenzuar 3.3 milion euro për telefona mobil. Kurse, në krahasim me vitin paraprak (2017), këto institucione në vitin 2018 kanë shpenzuar 763 mijë euro më shumë apo 30.4%. Rritja e numrit të ministrive dhe zyrtarëve publikë ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve rrjedhëse të buxhetit edhe për telefoni mobile. Duke marrë parasysh këtë dhe ndryshimet në tregun e shërbimeve të telefonisë mobile, Qeveria e Kosovës do të duhej të ndryshonte udhëzimin administrativ i cili ka mbetur i njëjti që nga viti 2008, dhe kështu të ulte shumën e lejuar të shpenzimeve për telefoninë mobile.

Figura 1: Shpenzimet e telefonisë mobile për vitin 2018 për të gjitha institucionet publike

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat nga raporti financiar i Ministrisë së Financave 2018

 

Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të detajuara të shpenzimeve për telefoni mobile për vitin 2018 nga zyra e kryeministrit dhe të gjitha ministritë. Konform ligjit për qasje në dokumente publike janë përgjigjur 13 ministri. Ndërsa nuk është përgjigjur zyra e kryeministrit si dhe tetë ministritë e tjera (Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimit Europian, dhe Ministria e Diasporës).

Nga të dhënat e këtyre 13 ministrive, gjatë vitit 2018 janë shpenzuar rreth 109,500 euro për përdorimin e telefonave mobil. Lidhur me këto shpenzime, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe ajo e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural radhiten të parat.

Figura 2: Shpenzimet e ministrive për telefona mobil për vitin 2018

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Sipas nenit 5 të udhëzimit, një Ministr-i/e i lejohet të shpenzojë 250 euro në muaj për shfrytëzim të telefonit jashtë shtetit (roaming). Këto shpenzime të ministrave nga ministritë që kemi pranuar përgjigje, gjatë vitit 2018, arrijnë në 22,562.97 euro. Në radhën e ministrave për vitin 2018, tejkalim të shpenzimeve kanë bërë Endrit Shala, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, i cili është emëruar në tetor të vitit 2018 dhe ka shpenzuar rreth 300 euro në muajin nëntor, duke tejkaluar shpenzimet e lejuara për 50 euro; dhe, Bajram Hasani, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, i cili ka tejkaluar shpenzimet në muajin mars për 50 euro (gjithsej 300 euro).

Figura 3: Shpenzimet e ministrave/eve për telefoni mobile për vitin 2018

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Shpenzimet mujore të telefonave roaming qe i lejohen një zëvendësministr-i/e janë 150 euro në muaj. Këto shpenzime, gjatë vitit 2018, arrijnë shumën totale prej rreth 36 mijë euro.  Në radhën e zëvendësministrave për vitin 2018 tejkalim të shpenzimeve kanë bërë:

Xhavit Zariqi, Zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, i cili në muajin nëntor tejkaloi shpenzimet për 155 euro (gjithsej 305 euro); Arbëreshë Krasniqi, Zëvendësministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila ka tejkaluar shpenzimet në muajin tetor për 100 euro (gjithsej 250 euro); Izmi Zeka, Zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka tejkaluar shpenzimet në muajin gusht për 30 euro. Bujar Cakolli, Zëvendësministër në Ministrinë e Inovacionit ka tejkaluar shpenzimet në muajin tetor për gjashtë euro, në muajin nëntor për 38 euro, dhe në muajin dhjetor për 67 euro.

Figura 4: Shpenzimet e zëvendësministrave/eve për telefoni mobile për vitin 2018

 
Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Bazuar në totalin e shpenzimeve për përdorim të telefonave mobil gjatë vitit 2018, pozita me shpenzimet më të larta në këtë kategori është e këshilltarëve politikë me rreth 43 mijë euro. Pas saj radhiten zëvendësministrat/et, ministrat/et dhe shefat/et e kabineteve.

Figura 5: Shpenzimet e telefonisë mobile për vitin 2018 në bazë të pozitave

 Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Këtu janë paraqitur në formë infografike shpenzimet e telefonave fiks dhe mobil për 13 ministri gjatë vitit 2018 dhe personat përgjegjës për secilin shpenzim.