Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për reprezentacion në vitin 2018

07/10/2019

Për menaxhim më efikas të mjeteve të buxhetit për shpenzimet e reprezentacionit, Qeveria e Kosovës ka hartuar Udhëzimin Administrativ nr.01/2008, që përcakton mënyrën dhe shumën e shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës.

Këto shpenzime përfshijnë të gjitha shpenzimet që bëhen me qëllim të kryerjes së punëve dhe detyrave në kuadër të përgjegjësive të zyrtarëve publikë për dreka dhe darka, pije dhe dhurata të ndryshme për takime të ndryshme  zyrtare që mbulohen nga buxheti i Kosovës.

Sipas nenit 5 të këtij udhëzimi, shpenzimet e reprezentacionit për kryeministrin/en dhe zëvendëskryeministrat/et janë të pakufizuara. Ndërsa, shpenzimet për ministrat/et kufizohen deri në 500 euro në muaj, zëvendësministrat/et deri në 200 euro në muaj, këshilltarët politikë  deri në 100 euro në muaj, shefat/et e kabineteve të ministrave/eve deri në 50 euro në muaj, e kështu me radhë. Pos tjerash, këto shpenzime nuk lejohen të bëhen për qëllime individuale, por vetëm shtetërore dhe duhet të arsyetohen me fatura përkatëse të nënshkruara nga shpenzuesit.

Sipas raportit vjetor financiar 2018 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018, janë shpenzuar gjithsej  3.4 milionë euro për dreka dhe darka zyrtare brenda dhe jashtë vendit nga buxheti i Kosovës. Krahasuar me vitin e kaluar, shpenzimet janë rritur për 528 mijë euro apo 18.1%.

Figura 1: Shpenzimet e reprezentacionit për të gjitha institucionet publike

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat nga Raporti Financiar i Ministrisë së Financave 2018

 

Duke u bazuar në ligjin për qasje në dokumente zyrtare, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të detajuara të shpenzimeve të reprezentacionit nga zyra e kryeministrit dhe të gjitha ministritë për vitin 2018. Edhe pse këto të dhëna do të duhej të ishin publike, kërkesës iu kanë përgjigjur vetëm 14 ministri. Ndërsa zyra e kryeministrit dhe shtatë ministri të tjera siç janë: Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimit Evropian, dhe Ministria e Diasporës, nuk kanë ofruar qasje në të dhëna.

Nga të dhënat e 14 ministrive që janë përgjigjur del se gjatë vitit 2018 janë shpenzuar gjithsej rreth 233 mijë euro për shpenzime të reprezentacionit. Ministria e Shëndetësisë prinë me këto shpenzime me rreth 22 mijë euro në vit. Kurse, në krahasim me vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme ka rritur shpenzimet për 9 mijë e 600 euro.

Figura 2: Shpenzimet e reprezentacionit sipas kabineteve të ministrive 2018

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Vlera maksimale e shpenzimeve të reprezentacionit që i lejohen një ministr-i/e është 500 euro në muaj. Në radhën e ministrave/eve, tejkalim të shpenzimeve mujore për reprezentacion kemi nga gjithsej tetë ministra/e, të cilët janë: Uran Ismaili, Besim Beqaj, Skender Reçica, Nenand Rikalo, Bejtush Gashi, Albena Reshitaj, Valdrin Lluka, Ekrem Mustafa.

Shuma më e madhe e tejkaluar është për 902 euro në muajin mars 2018, nga Ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli. Pastaj, Besim Beqaj, Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në muajin mars ka tejkaluar shpenzimet për 869 euro; Ekrem Mustafa, Ministër i Punëve të Brendshme, i cili ka filluar mandatin në tetor të vitit 2018 ka tejkaluar shpenzimet po në këtë muaj për 446 euro, e kështu me radhë.

Sipas nenit 9 të udhëzimit administrativ, të gjitha shpenzimet e reprezentacionit që e kalojnë vlerën maksimale të lejuar duhet të mbulohen nga vet zyrtari apo zyrtarja që e ka tejkaluar shumën e përcaktuar.

Tabela 1: Shpenzimet mujore të reprezentacionit sipas ministrave/eve për vitin 2018

Burimi: Tabela e përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.
 
*Për disa muaj mungojnë te dhënat, sepse kemi pranuar vetëm të dhëna vjetore nga ministritë përkatëse, këta ministra nuk kanë qenë në postin e ministrit për ata muaj, nuk kemi pranuar të dhëna, apo nuk kanë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare në muajt përkatës.

 

Shuma e lejuar për shpenzime në dreka dhe darka zyrtare gjatë një viti për një zëvendësministër/re është 200 euro në muaj. Në radhën e zëvendësministrave/eve për vitin 2018, tejkalim të shpenzimeve mujore për reprezentacion kemi nga gjithsej 19 zëvendësministra/e.

Shuma më e madhe e tejkaluar është për 467 euro në muajin korrik nga Bujar Cakolli, Zëvendësministër në Ministrinë e Inovacionit. Pastaj, Gani Koci, Zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ka tejkaluar shpenzimet për 344 euro në muajin shkurt; Hamza Balje, Zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ka tejkaluar shpenzimet e reprezentacionit në muajin tetor për 304 euro. Ndërsa, Fatmir Matoshi, Zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka tejkaluar shpenzimet për 300 euro në muajin shtator, e kështu me radhë.

Tabela 2: Zëvendësministrat/et që kanë tejkaluar shpenzimet mujore për reprezentacion 2018

Burimi: Tabela e përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse
 
*Për disa muaj mungojnë te dhënat, sepse këta zëvendësministra/e nuk kanë  qenë në postin e zëvendësministrit/es  për ata muaj, nuk kemi pranuar të dhëna, apo nuk kanë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare në muajt përkatës.

 

Vlera maksimale e shpenzimeve të reprezentacionit qe i lejohen një shef-i/eje të kabinetit është 50 euro në muaj. Të gjithë shefat/et e kabineteve kanë tejkaluar shpenzimet mujore gjatë vitit 2018. Kështu, Amil Kaplani, Shef i Kabinetit në Minstrinë e Zhvillimit Rajonal, ka tejkaluar shpenzimet për secilin muaj janar-nëntor për 50 euro. Për Shefin e Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Altin Ademi, kemi pranuar vetëm të dhëna vjetore, ku gjithsej gjatë vitit 2018 ka shpenzuar 1,100 euro (rreth 92 euro në mesatare për një muaj); Durim Limaj, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tejkalimet më të mëdha i ka pasur në muajt tetor-dhjetor për 50 euro (gjithsej 100 euro për muaj); Bardh Ahmeti, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, tejkalimet më të mëdha i ka pasur në muajin mars për 50 euro dhe dhjetor për 41 euro, duke shpenzuar nga 100 e 91 euro respektivisht për të dy muajt.

Ndërsa, Besianë Musmurati, Shefe e Kabinetit në Ministrinë e Shëndetësisë, për periudhën korrik-dhjetor ka shpenzuar 485 euro, duke tejkaluar shpenzimet në muajt korrik-tetor;  Dukagjin Sokoli, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për periudhën janar-prill ka shpenzuar 466 euro, duke tejkaluar shpenzimet në muajin janar për 240 euro (gjithsej 290 euro), si dhe në muajin shkurt (gjithsej 58 euro) dhe prill (gjithsej 92 euro); Kurse, Arianit Ibrahimi, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në periudhën qershor, korrik dhe shtator ka shpenzuar 300 euro duke tejkaluar shpenzimet për 50 euro në secilin muaj (gjithsej 100 euro për muaj).

Tabela 3: Shpenzimet mujore të shefave/eve të kabineteve për dreka dhe darka zyrtare 2018

Burimi: Tabela e përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse
 
*Për disa muaj mungojnë te dhënat, sepse kemi pranuar vetëm të dhëna vjetore nga ministritë përkatëse, këta shefa/e të kabinetit  nuk kanë qenë në postin e shefit/es të kabinetit për ata muaj, nuk kemi pranuar të dhëna, apo nuk kanë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare në muajt përkatës
 

Bazuar në gjithsej shpenzimet për reprezentacion në vitin 2018, pozita me shpenzimet më të larta në këtë kategori është ajo e zëvendësministrave/eve, të cilët kanë shpenzuar mbi 91 mijë euro. Pas saj radhiten ministrat/et, këshilltarët/et dhe shefat/et e kabineteve.

Figura 3: Shpenzimet e reprezentacionit në bazë të pozitave

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Këtu janë paraqitur në formë vizuale shpenzimet e reprezentacionit për 14 ministri gjatë vitit 2018 dhe shpenzimet individuale për zyrtarët publikë në ato ministri.