Përfitimet e një qeverie më të vogël

24/10/2019

Me zvogëlimin e qeverisë sipas premtimeve zgjedhore të partive Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat pritet të arrijnë koalicion qeverisës, sipas kalkulimeve të Institutit GAP, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen rreth 15.5 milionë euro për një mandat qeverisës.

Sipas udhëzimeve administrative 04/2008 dhe 01/2008 zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësmnistrat, këshilltarët politikë dhe shefat e kabineteve, përveç pagës mujore gëzojnë edhe benefite tjera shtesë, ku u mbulohet një shumë e caktuar për shpenzimet e drekave dhe telefonit (mobil dhe fiks). Nga shkurtimi i pozitave të paraqitura në inforgrafikë, shpenzimet për ushqim, karburante dhe telefoni do të reduktoheshin automatikisht për rreth 3.4 milionë euro në një mandat.

Bazuar në premtimet elektorale, numri i zëvendëskryeministrave pritet të ulet nga 5 në 2. Ndërsa, nga shkurtimi i posteve ministrore nga 21 në 12, bazuar në premtimet e dy partive, zvogëlohet edhe numri i zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë. VV dhe LDK kanë premtuar se do të emërojnë jo më shumë se dy zëvendësministra për ministri, që i bie nga 80+ sa kanë qenë në qeverinë e kaluar të mbeten maksimum 24 zëvendësministra. Me vetëm 12 ministri, numri i këshilltarëve për ministër/re sipas rregullorës në fuqi do të jetë maksimum 7, duke përfshirë këtu edhe këshilltarin/en e lartë të ministrit/es. Ngjashëm, është premtuar që në qeverinë e ardhshme numri i këshilltarëve të kryeministrit/es do të jetë 5, mirëpo për shkak që baza ligjore e plotësuar gjatë mandatit të kaluar lejon që kryeministri/ja të emërojë edhe këshilltarë nga nëntë komunitete në Kosovë, numri total i tyre pritet të mos kalojë 10.

VV-LDK kanë premtuar se do të shuhen pozitat e koordinatorëve nacionalë, ku në qeverinë e kaluar ishin 4 pozita të tilla me pagë të ngjashme si ajo e postit të ministrave. Ngjashëm, pritet që numri i këshilltarëve të zëvendëskryeministrave të mos jetë më i lartë se i atyre të kryeministrit/es, dhe që mund të ndodh që zëvendëskryeministrat të mbajnë dhe poste ministrore, me gjithsej 12 këshilltarë të tillë.

Duke marr të gjitha këto për bazë, Instituti GAP vlerëson se në një mandat të plotë do të kursehen së paku 15.5 milionë euro në paga dhe shpenzime tjera që ndërlidhen me postet politike në qeveri. Përveç kursimeve, një qeveri më e vogël rrit edhe efikasitetin e koordinimin, shkurton kohën e marrjes së vendimeve, rrit besimin e qytetarëve, si dhe krijon adresa të qarta të përgjegjësisë.

Infografikën mund ta gjeni më poshtë.