REAGIM: Banka Qendrore e Kosovës po e mban sekret vendimin dhe studimin për rritjen e çmimit të sigurimeve për vetura

26/12/2019

Gati dy muaj pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rritjen e sigurimeve për vetura, Institutit GAP i mohohet e drejta për qasje në këtë vendim. Më 10 dhjetor 2019, Instituti GAP ka bërë kërkesë në adresë të BQK-së dhe ka kërkuar qasje në Studimin Aktuarial mbi të cilin është bazuar BQK kur ka marrë vendim për rritjen e çmimit të sigurimeve për vetura për 26%, si dhe ka kërkuar qasje në Vendimin e Bordit ekzekutiv të BQK të datës 31 tetor 2019 për rritjen e sigurimeve.

Por, në kundërshtim me Ligjin për qasje në dokumente publike dhe në kundërshtim me misionin e saj, BQK nuk i ka bërë publike këto dokumente, duke kërkuar që të takohemi me zëvendësguvernatorin, në vend se këto dokumente të bëhen publike.

Është skandaloze dhe e kundërligjshme që një vendim i organeve publike i cili prek rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës të mbahet konfidencial, duke u thirrur në një Rregullore të brendshme për fshehtësinë.

Duke marrë parasysh se edhe pas përsëritjes së kërkesës, më 20 dhjetor 2019, BQK nuk ka bërë publike këto dokumente, konform Ligjit për qasje në dokumente publike, Instituti GAP do të kërkojë intervenimin e Avokatit të Popullit, para se këtë vendim të BQK-së ta dërgojë në gjykatë.

Po ashtu, Instituti GAP rikujton se më 12 shtator 2019, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) kishte dhënë mendim profesional për BQK-në ku e paralajmëron së unifikimi i çmimeve sa i përket sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia TPL është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë (shih vendimin: https://bit.ly/2t1Fkju).

Instituti GAP publikisht kërkon nga BQK që t’i lejohet qasje në  Vendimin e Bordit Ekzekutiv të datës 31 tetor 2019 për rritjen e tarifave të primit të sigurimit të detyrushëm nga auto-përgjegjësia si dhe qasje në të dhënat në nivel të industrisë të cilat do të ndihmonin publikun e gjerë të kuptojë arsyeshmërinë e pohimeve të BQK-së për rritjen e tarifave.