GAP publikoi raportin - Kapacitetet dhe pavarësia e institucioneve për ndihmë shtetërore

14/02/2020

Instituti GAP, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizuan tryezen e diskutimit ku u prezentua raporti “Kapacitetet dhe pavarësia e institucioneve për ndihmë shtetërore”.

Blendi Hasaj, hulumtues i lartë në Institutin GAP, tha se raporti krahason kornizën institucionale për ndihmën shtetërore të Kosovës dhe shteteve të rajonit. Edhe pse, në përgjithësi, vërehet një angazhim i shteteve të Ballkanit Perëndimor për pavarësimin e institucioneve të ndihmës shtetërore, këto institucione nuk po trajtojnë të gjitha projektet për të cilat ekzistojnë indikacione që ka prezencë të ndihmës shtetërore. Përkundër që Departamenti për Ndihmë Shtetërore dhe Komisioni për Ndihmë Shtetërore në Kosovë janë formuar së voni, mund të kenë mungesë përvoje dhe staf për të vlerësuar një projekt kaq të madh, është e rëndësishme që ato të marrin për vlerësim projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” apo të kërkojnë asistencë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Mos-veprimi i institucioneve të ndihmës shtetërore, në një rast të tillë, krijon dëme për ekonominë dhe buxhetin e Kosovës.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës, znj. Gerrie Willems, theksoi rëndësinë e ndihmës shtëtërore, duke kërkuar që të vazhdohen përpjekjet për të plotësuar legjislacionin dytësor për ndihmën shtetërore.  Ajo u bëri thirrje institucioneve të reja që të fusin në agjendën e tyre implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformave Evropiane, instrumente të cilat do të përmirësonin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Znj. Fortuna Haxhikardija, Kryetare e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, theksoi se pavarësisht se shteti i Kosovës ka tri vjet që ka aprovuar Ligjin për Ndihmë Shtetërore, si dhe ka kompletuar autoritetet për zbatimin e ligjit, fokusi do të jetë që kjo të matet me kualitetin e vendimeve që autoritetet përkatëse nxjerrin si dhe proaktivitetin që do ta tregojnë ato.

Ne debat po ashtu kontribuuan edhe përfaqësues të tjerë nga Departamenti i Ndihmës Shtetërore, nga Zyra e Rregullatorit të Energjjisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.