Prioritetet e buxhetit të Kosovës para pandemisë COVID-19

21/05/2020

Instituti GAP sot publikoi raportin “Prioritetet e buxhetit të Kosovës para pandemisë COVID-19.” Qëllimi i këtij raporti është që të bëjë një analizë të ndarjeve të miratuara buxhetore për vitin 2020, para goditjes nga pandemia COVID-19. Duke pasur parasysh vonesat në formimin e qeverisë, buxheti i Kosovës për vitin 2020 ishte miratuar jashtë afateve të rregullta ligjore.

Ngjashëm sikurse viteve të kaluara, shumica dërmuese e projekteve kapitale qendrore janë vazhdime apo obligime nga vitet e kaluara, duke lënë pak hapësirë për projekte të reja. Gjithashtu, edhe prioritetet sipas fushave kanë mbetur të njejta me vitin e kaluar, ku më shumë se gjysma e shpenzimeve orientohen për çështjet ekonomike, mbrojtje sociale dhe arsim. Buxheti për shëndetësi është rritur lehtë ndërsa ai për arsim ka rritje të theksuar krahasuar me vitin paraprak. Tek Inspektorati i Punës është ndarë buxhet vetëm për 90 persona, ndërsa në programin e qeverisë, stafi i këtij departamenti parashihet të jetë 400 persona. 

Sa i përket shpenzimeve rrjedhëse, ato kanë mbetur pothuajse të njejta me vitin e kaluar. Mirëpo, në rast të hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik, atëherë nuk dihet sa sa mund të rriten këto shpenzime, duke pasur parasysh se kostoja e saktë e ligjit nuk dihet ende.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit kemi një rënie të theksuar të buxhetit për ndërtim të autostradave dhe rehabilitim të rrugëve, por megjithatë Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit do ta menaxhojë gati gjysmën e buxhetit qendror për investime kapitale.

Sa i përket investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal, edhe këto investime kapitale në pjesën më të madhe janë vazhdimësi nga viti i kaluar. Mirëpo, këtë vit shihet një shpërndarje më e balancuar e këtyre investimeve në komuna.

Instituti GAP do të bëjë një analizë të ndarë sa i përket ndryshimeve në buxhetin e Kosovës si pasojë e krizës nga COVID-19.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.