Thirrje për aplikime për 4 praktikant/e me pagesë përmes programit të Mentorimit

12/08/2020

Periudha e angazhimit: Shtator 2020 - Shkurt 2021

Ju pëlqen hulumtimi dhe dëshironi të merrni informacion depërtues? A jeni kurreshtarë të takoni hulumtuesit profesionistë dhe gazetarët që qëndrojnë pas artikujve që i lexoni? A doni të përjetoni emocionin e shkrimit të analizave dhe artikujve dhe të keni mundësinë për tu përfshirë në procesin e prodhimit të tyre?

Atëherë aplikoni dhe bashkohuni me ne në Institutin GAP dhe Kosovo 2.0!

Çka më saktësisht?

Instituti GAP dhe Kosovo 2.0 nisin ciklin e Programit Profesional të Mentorimit, përmes projektit Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimin qytetar të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. Nga ky program do të përfitojnë 4 pjesëmarrës/e të moshës 18-25 vjeç. Ky program gjashtëmujor do të zhvillojë aftësitë e hulumtuesve dhe gazetarëve të rinj dhe do të shërbejë si praktikë me pagesë me qëllim që të stimulojë profesionistët e rinj në fillimin e karrierës së tyre. Të përzgjedhurit/at e programit do të bëhen pjesë e ekipit hulumtues të Insitutit GAP dhe më pas e ekipit të redaksisë së Kosovo 2.0 dhe do të punojnë së afërmi me dy ekipet për të realizuar hulumtime dhe për të shkruar artikuj që bazohen në hulumtime.

Ka ende për të përzgjedhurit e programit:

Do të jenë pjesë e ekipit të analistëve dhe hulumtuesëve të Institutit GAP dhe do të shohin si nisen hulumtimet,

Do të realizojnë takime/intervista me institucionet dhe organizatat relevante për raportet hulumtuese,

Do të marrin pjesë në takimet për caktimin e hulumtimeve në Institutin GAP dhe do të shohin si formësohet një ide për hulumtim,

Do të marrin pjesë në të gjitha takimet redaktoriale në Kosovo 2.0 dhe do të shohin si propozohen idetë për artikuj,

Do të kuptojnë si mblidhen të dhënat, si shfrytëzohen dhe si hulumtohet për artikuj të caktuar,

Do të jenë vazhdimisht pranë gazetarëve gjatë intervistave, hulumtimit dhe punës në terren,

Si do të zhvillohet programi?

Pjesëmarrësit e zgjedhur do të realizojnë tre muajt e parë të Programit të Mentorimit në Institutin GAP kurse pastaj do të vazhdojnë me programin për tre muajt e tjerë në Kosovo 2.0.

Institutin GAP pjesëmarrësit do të njoftohen me procesin e hulumtimit dhe realizimin e tij. Pjesëmarrësit do të njoftohen me hapat e hulumtimit, teknikat e mbledhjes së informacionit dhe format e qasjes në dokumente publike. Më pas pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shohin si përpilohet një analizë e politikave publike. Në Kosovo 2.0, secili pjesëmarrës do të punojë me një gazetar/e të caktuar nga ekipi i redaksisë së Kosovo 2.0. Pas realizimit të hulumtimit, tani pjesëmarrësit do të mësojnë më shumë për pjesën e gazetarisë dhe si mund të kthehet hulumtimi i realizuar në material gazetaresk. Pjesëmarrësit do të jenë pjesë e pandashme e ekipit të redaksisë, duke nisur nga pjesëmarrja në takime redaktoriale e deri tek angazhimi në procesin e shkrimit të artikujve që përfshin mbledhjen e të dhënave, realizimin e intervistave dhe shndërrimin e këtyre të dhënave në artikull të lexueshëm.

Ndërsa në fund:

Gjatë Programit të Mentorimit Profesional, 4 pjesëmarrësit do të përgatisin një raport hulumtues dhe një artikull gazetaresk lidhur me temat që do të trajtojnë. Këto prodhime do të publikohen nga Instituti GAP dhe Kosovo 2.0.

Çka po kërkojmë ne?

Persona entuziastë dhe të dhe të përkushtuar, që vijnë prej drejtimeve të ndryshme, por që i bashkon interesimi për arritje profesionale! Programi Profesional i Mentorimit kërkon të zhvillojë profesionistë të rinj në fushën e hulumtimit dhe gazetarisë.

Si të aplikoni?

Aplikimi është i hapur për të gjithë të rinjtë e moshës 18-25 vjeç të interesuar në fushën e hulumtimit dhe gazetarisë. Kosovo 2.0 dhe Insituti GAP inkurajojnë të gjithë të rinjtë e interesuar në këto fusha të sfidojnë veten duke u bërë pjesë e Programit të Mentorimit Profesional.

Për të aplikuar, ju lutemi të plotësoni formularin këtu.

Afati i fundit për aplikim është deri më 31 gusht 2020, në mesnatë.

Ky program realizohet me asistencë të Bashkimit Evropian dhe implementohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP.