Shpenzimet e reprezentacionit përfshijnë të gjitha shpenzimet që bëhen gjatë kryerjes së punëve dhe detyrave zyrtare (dreka, darka, pije dhe dhurata për takime tē ndryshme zyrtare).Këto shpenzime të cilat për qëllim kanë arritjen e objektivave institucionale vjetore, mbulohen nga buxheti i Kosovës.
Për menaxhim më efikas të parasë publike, Qeveria e Kosovës ka hartuar Udhëzimin Administrativ nr.01/2008, që përcakton mënyrën dhe shumën e shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës.
Sipas nenit 5 të këtij udhëzimi, shpenzimet e reprezentacionit për kryeministrin/en dhe zëvendëskryeministrat/et janë të pakufizuara. Ndërsa, ministrat/et lejohen të shpenzojnë deri në 500 euro në muaj, zëvendësministrat/et deri në 200 euro në muaj, këshilltarët politikë deri në 100 euro në muaj, shefat/et e kabineteve të ministrave/eve deri në 50 euro në muaj, e kështu me radhë. Pos tjerash, këto shpenzime nuk lejohen të bëhen për qëllime individuale, por vetëm shtetërore dhe duhet të arsyetohen me fatura përkatëse të nënshkruara nga shpenzuesit.
Sipas raportit vjetor financiar 2019 të Ministrisë së Financave, shpenzimet e reprezentacionit në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018 janë rritur për 11% apo 364 mijë euro. Pra në total për dreka dhe darka zyrtare brenda dhe jashtë vendit nga buxheti i Kosovës gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar afër 4 milionë euro.
Figura 1: Shpenzimet e reprezentacionit për të gjitha institucionet publike
Duke u bazuar në ligjin për qasje në dokumente zyrtare, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të detajuara të shpenzimeve të reprezentacionit nga zyra e kryeministrit dhe të gjitha ministritë për vitin 2019. Edhe pse këto të dhëna do të duhej të ishin publike, kërkesës sonë i’u kanë përgjigjur Zyra e Kryeministrit dhe 18 ministri, nga të cilat Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë ofruar të dhëna për kabinete të minstrave pa i personalizuar shpenzimet e zyrtarëve për muaj. Ndërsa tri ministri të tjera, Ministria e Punëve tëJashtme, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë ofruar qasje në të dhëna duke mos e respektuar ligjin për qasje në dokumente zyrtare.
Nga të dhënat e pranuara përmes kërkesës nga 19 institucione, del se gjatë vitit 2019 për reprezentacion janë shpenzuar mbi 695 mijë euro, nga kjo shumë vetëm kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka shpenzuar 57 % apo 399 mijë euro ndërsa 18 ministritë së bashku kanë shpenzuar 43% apo296 mijë euro. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e cila qëndron e para nga ministritë, ka shpenzuar rreth 40 mijë euro apo 22 mijë euro më shumë krahasuar me vitin 2018. Ministritë tjera që kanë shpenzuar me shumë krahasuar me vitin 2018 janë: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ndërsa, ministritë që në vitin 2019 kanë shpenzuar më pak krahasuar me vitin 2018, janë: Ministria Shëndetësisë (10 mijë euro më pak), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (9 mijë euro më pak), Ministria e Punëve të Brendshme (8 mijë euro më pak), Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë (5 mijë euro më pak) e kështu me radhë.
Figura 2: Shpenzimet e reprezentacionit sipas kabineteve të ministrive 2019
Vlera maksimale e shpenzimeve të reprezentacionit që i lejohen një ministr-i/e është 500 euro në muaj. Në radhën e ministrave/eve, tejkalim të shpenzimeve mujore për reprezentacion kemi nga gjithsej dhjetë ministra/e. Këta janë: Dijana Zivic, Dhurata Hoxha, Rasim Demiri, Adrijana Hodzic, Abelard Tahiri, Ekrem Mustafa, Mahir Yagcilar, Fatmir Matoshi, Muzafer Shala dhe Shyqiri Bytyqi.
Shuma më e madhe e tejkaluar është për 4,538 euro në muajin dhjetor, nga Ministrja e Bujqësisë, Dijana Zivic. Pastaj, Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë, në muajin prill ka tejkaluar shpenzimet për 3,369 euro; Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në muajin gusht tejkaloi shpenzimet për 2,585 euro ndërsa në mars për 1,692 euro; Adrijana Hodzic nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në muaji korrik tejkaloi shpenzimet për 2,238 euro; Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Evropiane në muajin prill tejkaloi shpenzimet për 1,818 euro; Nenad Rikalo, nga Ministra e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në muajin prill tejkaloi shpenzimet për 1,492 euro e kështu me radhë.
Sipas nenit 9 të udhëzimit administrativ, të gjitha shpenzimet e reprezentacionit që e kalojnë vlerën maksimale të lejuar duhet të mbulohen nga vet zyrtari apo zyrtarja që e ka tejkaluar shumën e përcaktuar. Për ministat, Valdrin Llukadhe Dalibor Jevtic, shpenzimet i kemi pranuar vetëm si total për vitin 2019.
Figura 3: Shpenzimet mujore të reprezentacionit sipas ministrave/eve për vitin 2019
Shuma e lejuar për shpenzime në dreka dhe darka zyrtare gjatë një viti për një zëvendësministër/re është 200 euro në muaj. Në radhën e zëvendësministrav/ev për vitin 2019, tejkalim të shpenzimeve mujore për reprezentacion kemi nga gjithsej 14 zëvendësministra/e, tre më pak krahasuar me vitin 2018.Shuma më e madhe e tejkaluar është për 498 euro në muajin shkurt nga Besim Demi, pastaj Aleksander Spasic për 471 euro, Bashkim Musliu për 352 euro,zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë. Fadil Nura,zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë në muajin janar tejkaloi shpenzimet për 134 euro. Hajredin Hyseni, zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit Publik në muajin shkurt tejkaloi shpenzimet për 119 euro e kështu me radhë.
Figura 4: Shpenzimet e reprezentacionit për 2019 nga zëvendësministrat/et
Vlera maksimale e shpenzimeve të reprezentacionit që i lejohet një këshilltari/je është 100 euro në muaj. Gjatë vitit 2019 në radhën e këshilltarëve që tejkaluan shpenzimet e reprezenatcionitjanë: Elena Mucula, Gazmend Muja, Shqipe Kusari, Vesa Broja dhe Hristina Kosic nga Ministria e Integrmeve Evropiane. Leutrim Sahiti, Mimoza Ibishi, MadenStankovicm, Nazmi Krasniqi, Sevdije Lama dhe Valon Maliqi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Albatrit Matoshinga Ministria e Shëndetësisë.
Figura 5: Këshilltarët që kanë tejkaluar shpenzimet e reprezentacionit gjatë vitit 2019
Vlera maksimale e shpenzimeve të reprezentacionit qe i lejohet një shef-i/eje të kabinetit është 50 euro në muaj. Gjatë vitit 2019 të gjithë shefat/et e kabineteve kanë tejkaluar shpenzimet e tyre mujore. Kështu Amil Kapllani, shef i kabinetit në Minsitrinë e Zhvillimit Rajonal ka tejkaluar shpenzimet për 50 euro për përiudhen mars-dhjetor. Mrike Krasniqi, shefe e kabinetit në Minstrinë për Integrime Evropiane, nënë një vlerë më të lartë në muajin tetor ka tejkaluar shpenzimet për 76 euro. Për gjashtë muaj Besianë Musmurati nga Ministria e Shëndetësisë tejkaloi shpenzimet nga 50 euro; Zijadin Geci nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimt Hapsinor në muajin shkurt tejkaloi shpenzimet për 125 euro. Altin Ademi dhe Dardan Koqani nga Ministria e Drejtësisënë secilin muaj që kanë realizu shpenzime edhe i kanë tejkaluar ato.
Figura 6: Shpenzimet e reprezentacionit nga shefat e kabineteve
Bazuar në gjithsej këto të dhëna në vitin 2019, pozita me shpenzimet më të larta në kategorinë e shpenzimeve për reprezentacion është ajo e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili shpenzoi me më shumë se 290 mijë euro. Më pas renditen zëvendësministrat/et me mbi 170 mijë euro, ministrat/et me rreth93 mijë euro,këshilltarët,zëvendëskryeministrat dhe shefat/et e kabineteve.
Figura 7: Shpenzimet e reprezentacionit në bazë të pozitave
Këtu gjeni në formë infografike shpenzimet për reprezentacion për Zyrën e Kryeministrit dhe 18 ministri si dhe personat përgjegjës për secilin shpenzim gjatë vitit 2019.