Shfrytëzimi i automjeteve zyrtare prej punonjësve të institucioneve publike për kryerjen e detyrave zyrtare, buxhetit të Kosovës i kushton miliona euro.
Nga janari i vitit 2008, rregullat dhe procedurat për përdorimin ekonomik dhe efikas të automjeteve zyrtare të Qeverisë së Kosovës nga punonjësit e institucioneve publike përcaktohen nga Udhëzimi Administrativ nr.03/2008. Sipas nenit tre të këtij udhëzimi, kryeministri/ja, zëvendëskryeministrat/et, ministrat/et, zëvendësministrat/et, Sekretar-i/ja i/e Përgjithshëm/e i Zyrës së Kryeministrit/es dhe shef-i/ja i/e kabinetit të kryeministrit/es lejohen të përdorin automjetet shtetërore për qëllime zyrtare për 24 orë. Ndërsa nëpunësve të caktuar mund t’u lejohet përdorimi i automjeteve zyrtare edhe jashtë orarit zyrtar të punës me vendim të ministrave/eve, me propozim të sekretarëve të përgjithshëm, kryeshefave ekzekutivë apo udhëheqësve më të lartë të organizatave buxhetore të institucionit përkatës.
Për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtij udhëzimi, u krijua edhe Njësia për Monitorimin e Përdorimit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Kjo njësi ka për qëllim që të mbajë një regjistër mbi përdorimin e veturave zyrtare nga të gjitha institucionet publike, të mbajë shënime për shpenzimet e karburanteve, riparimeve dhe kilometrave të kaluara për secilin automjet.
Sipas Raportit Financiar 2019 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2019 nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 8.5 milionë euro për karburante për vetura për të gjitha institucionet publike. Krahasuar me vitin 2018, këto shpenzime kanë rënë për 270 mijë euro (-3%) në vitin 2019. Kjo nënkategori përfshin 3% të shpenzimeve të bëra nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Nëse e marrim një mesatare prej 1.07 eurosh për litër të karburanteve, i bie që stafi politik dhe publik i qeverisë i kanë shpenzuar rreth 8 milionë litra karburante.
Figura 1: Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për karburante për vetura
Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të personalizuara të shpenzimeve për karburant për vetura për vitin 2019 nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe të gjitha ministritë. Kërkesës sonë për karburante i janë përgjigjur ZKM dhe 18 ministri. Ndërsa tri ministri të tjera nuk kanë ofruar përgjigje, që janë: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Srategjike dhe Ministria e Infrastukturës dhe Transportit duke mos e respektuar Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.
Nga ministritë që na janë përgjigjur, në formë të të dhënave vjetore të individualizuara përgjigje kanë ofruar Zyra e Kryeministrit dhe 14 ministri. ZKM dhe katër ministri (Ministria e Administrimit Publik, Ministria e Shëdetësisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim) kanë ofruar shpenzime të kaburanteve në litër që pastaj më një çmim mesatar nga 0.9 deri në 1.13 euro, varësisht cilit muaj i kanë takuar shpenzimet, i kemi konvertuar në euro. Ndërsa pesë ministritë tjera: Ministria e Drejtesisë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shpenzimet i kanë identifikuar me targa të veturave. Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë kanë ofruar të dhënat për kabinet për shpenzime totale për muaj, kurse, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ofruar vetëm shpenzimet totale të ministrisë gjatë vitit.
Figura 2: Shpenzimet për karburante për vetura sipas ministrisë për vitin 2019
Nga të dhënat e mbledhura përmes kërkesës nga 19 institucione, del se gjatë vitit 2019, për karburate për vetura ato kanë shpenzuar mbi 369 mijë euro. Më së shumti ka shpenzuar Kabineti i Kryeministrit Ramush Haradinaj me mbi 78 mijë euro, pastaj rënditet, Ministria për Komunitete dhe Kthim me rreth 31 mijë euro. Krahasuar me të dhënat e karburanteve të vitit 2018, gjatë vitit 2019 vetëm tri ministri (Ministria për Komunitet dhe Kthim, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave) kanë ulur shpenzimet për këtë kategori. Ndërsa ministritë që gjatë vitit 2019 për karburante të veturave kanë shpenzuar më shumë krahasuar me vitin 2018 janë: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Zhvillimt Ekonomik, Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvllimit Rural dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Për vitin 2019, Ministri i Administrimit Publik, Mahir Yagcilar, ka shpenzuar më së shumti në karburante për vetura me një total mbi shtatë mijë euro. Pastaj radhiten, Ministri Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri. Gjithashtu,gjatë vitit 2019 Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë ka ndërruar dy ministra të cilët gjithsej kanë shpenzuar mbi 2 mijë euro.
Figura 3: Shpenzimet për karburante për vetura nga ministrat 2019
Për vitin 2019, sikurse dhe vitin e kaluar, për shpenzimet për karburant më së shumti ka shpenzuar zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha. Pas tij radhiten zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë Arton Berisha, zëvendësministri i Komuniteteve dhe Kthimit, Milazim Gashi dhe zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi.
Figura 4: Shpenzimet për karburante për vetura nga zëvendësministrat 2019
Nga të dhënat e mbledhura, del se shpenzimet për karburant të veturave për ZKM-në dhe 15 ministri kanë qenë më të larta në muajin shtator (mbi 29 mijë euro). Në grafin e mëposhtëm nuk përfshihen shpenzimet vjetore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ngase nuk kanë qenë të ndara për secilin muaj.
Figura 5: Shpenzimet për karburante për vetura për ministri sipas muajve 2019
Në këtë link: http://alturl.com/8giva janë paraqitur në formë infografike shpenzimet për karburante për Zyrën e Kryeministrit dhe 18 ministri gjatë vitit 2019.