Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për mëditje të udhëtimeve zyrtare gjatë vitit 2019

20/11/2020

Një numër i madh i zyrtarëve politik në sektorin publik në Kosovë, gjatë vitit realizojnë udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit për të cilat marrin mëditje. Roli i mëditjeve është që t’u mundësohet punonjësve të sektorit publik pjesëmarrja në seminare, punëtori, trajnime dhe takime të rëndësishme shtetërore. Edhe pse nuk ka kufizime deri në sa para mund të merren mëditje nga zyrtarët publik, ngase kjo varet nga numri i udhëtimeve dhe ditëve të kaluara në një vend të caktuar, është e rëndësishmë të analizohet se sa konkretisht shpenzohet buxheti për mëditje dhe kush janë shpenzuesit më të mëdhenj.

Në qershor të vitit 2018, Ministria e Financave ka aprovuar vendimin për ndryshim të tarifave të mëditjeve krahas standardit të jetesës në shtetin në të cilin udhëtohet, por i cili ende bazohet në udhëzimin administrativ të vitit 2004. Në një studim të Institutit GAP për praktikat e institucioneve publike rreth udhëtimeve zyrtare, është realizuar një anketë me 596 shërbyes civil, ku të gjeturat e anketës tregojnë se mbi dy të tretat e shërbyesve civilë nuk pajtohen se tarifat aktuale për mëditje janë në lartësinë e duhur dhe rreth 56% e tyre mendojnë se shuma e ndarë për mëditje të plotë nuk i mbulon shpenzimet e udhëtimit.

Përveç kostos së jetesës, mëditjet paguhen varësisht edhe nga shpenzimet që i mbulohen zyrtarëve nga pala pritëse. Nëse pala pritëse ka mbuluar të gjitha shpenzimet e nevojshme duke siguruar edhe shpenzime të tjera të vogla, zyrtarët nuk përfitojnë para të gatshme nga buxheti i shtetit. Ndërsa, kur shpenzimet për akomodim, ushqim dhe shpenzimet tjera të vogla mbulohen tërësisht nga pala pritëse dhe pa u paguar asgjë në dorë, atëherë zyrtarët përfitojnë nga buxheti i shtetit 20% të shpenzimeve ditore. Kur zyrtarëve u janë mbuluar pjesërisht shpenzimet e ushqimit nga pala pritëse llogaritja ndryshon si në vijim:

- Nëse pala pritëse mbulon vetëm ushqimin e mëngjesit, atëherë pjesa tjetër e ushqimit (dreka dhe darka) apo 85% e shpenzimit mbulohet nga buxheti i shtetit.

- Nëse pala pritëse mbulon ushqimin e mëngjesit dhe drekës, buxhetit të shtetit i mbetet të mbulojë vetëm darkën apo 55% të shpenzimit të ushqimit.

- Nëse pala pritëse mbulon ushqimin e mëngjesit dhe darkës, ushqimi i drekës apo 40% e shpenzimit të ushqimit mbulohet nga buxheti i shtetit.

- Nëse pala pritëse mbulon tërësisht ushqimin, organizata buxhetore mbulon 20% të shpenzimeve ditore.

Shpenzimet e akomodimit duhet të arsyetohen me fatura përkatëse dhe në rastet kur këto shpenzime janë më të ulëta se tarifa e përcaktuar për akomodim, diferenca e mjeteve duhet të kthehet. Gjithsesi, për mbyllje të avansit, zyrtarët duhet të sjellin faturat.

Sipas Raportit Financiar të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2019, nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 3.8 milionë euro për mëditje të udhëtimeve zyrtare brenda dhe jashtë vendit apo 706 mijë euro (19%) më pak se në vitin paraprak.

Figura 1: Mëditjet e udhëtimit zyrtar brenda dhe jashtë vendit

Burimi: Instituti GAP bazuar në të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Instituti GAP, duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka kërkuar të dhënat e shpenzimeve për mëditje të stafit politik për vitin 2019 nga Zyra e Kryeministrit dhe të gjitha ministritë. Kërkesës sonë për mëditje i janë përgjigjur gjithsej 17 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, prej të cilave Ministria e Mbrojtjes, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë ofruar të dhëna për kabinete të minstrive pa i personalizuar shpenzimet e zyrtarëve për muaj. Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Diasporës nuk kanë ofruar qasje në të dhëna, duke rënë kështu në kundërshtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Nga të dhënat e këtyre 17 ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit, gjatë vitit 2019, janë shpenzuar rreth 204,541 euro për mëditje. Lidhur me këto shpenzime, Zyra e Kryeministrit me mbi 70 mijë euro renditet e para, pastaj radhitet Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me mbi 37 mijë euro të shpenzuara për mëditje.

Figura 2: Shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit dhe kabineteve të ministrive për mëditje 2019

Burimi: Instituti GAP bazuar në të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Sipas të dhënave të pranuara, del se Fatmir Matoshi, si ministër në ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prin sa i përket shpenzimeve për mëditje me 5,446 euro. Ndërsa, Ekrem Mustafa ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, radhitet i dyti me 3,922 euro shpenzime.

Figura 3: Shpenzimet e kryeministrit dhe ministrave/eve 2019

Burimi: Instituti GAP bazuar në të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Sa i përket shumës së mëditjeve të zëvendëskryeministrave, Enver Hoxhaj kishte marrë 2,564  mijë euro mëditje dhe Fatmir Limaj 2,019 euro. Ndërsa, Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj kishte marrë më së shumti mëditje, mbi tre mijë euro. Pastaj radhitet Abdyl Selami Shkodra, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme me 263 euro më pak shpenzime.

Figura 4:  Shpenzimet e zëvendëskryeministave 2019

Burimi: Instituti GAP bazuar në të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse
 

Figura 5:  Shpenzimet e zëvendësministrave/eve 2019

Burimi: Instituti GAP bazuar në të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Duke u bazuar në postet drejtuese, këshilltarët politikë kanë shpenzuar mbi 84 mijë euro për mëditje brenda dhe jashtë vendit, pas tyre radhiten ministrat me mbi 24 mijë euro, zëvendësministrat me mbi 23 mijë euro, shefat e kabinetit me mbi gjashtë mijë euro, zëvendëskryeministrat mbi katër mijë euro dhe kryeministri mbi tre mijë euro. Ndërsa, në mesatare shpenzimet e mëditjeve për një minister/re janë rreth 1430 euro, për një këshilltar/e rreth 1000 euro, për një zëvendësministër/re rreth 815 euro, dhe për një shef/e të kabinetit rreth 795 euro.

 

Figura 6: Shpenzimet për mëditje në vitin 2019 në bazë të pozitave

Burimi: Instituti GAP bazuar në të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Figura 7: Mesatarja e shpenzimeve për zyrtar/e sipas pozitës 2019

Burimi: Instituti GAP bazuar në të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Këtu janë paraqitur në formë infografike shpenzimet e mëditjeve për Zyrën e Kryeministrit dhe 17 ministritë gjatë vitit 2019 dhe shpenzimet individuale për të gjithë zyrtarët.