Sfidat e Qendrave për Punë Sociale në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19

12/02/2021

Ky hulumtim është kryer nga Korab Mala në kuadër të projektit të mentorimit që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP.

Përmbledhje ekzekutive

Ky raport paraqet funksionimin e Qendrave për Punë Sociale (QPS) në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19, më konkretisht gjatë periudhës së karantinimit intensiv, nga muaji mars e deri në muajin qershor të vitit 2020.  Me kufizimin e qasjes në shëndetësi, arsim e punësim si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë, është rritur nevoja e qytetarëve për shërbime sociale. Problemet më të theksuara gjatë kësaj periudhe kanë qenë qasja në ndihma monetare, ruajtja e shëndetit mendor dhe adresimi i dhunës në familje.

Andaj, fokusi i këtij hulumtimi është mbi sfidat e këtyre qendrave në ofrimin e shërbimeve sociale gjatë kohës së pandemisë. Numri i stafit në QPS, ekspertiza dhe përgatitja profesionale e tyre, mbajtja e kontakteve me përfituesit e shërbimeve sociale, qasja e punëtorëve social në resurse teknike, legjislacioni dhe financimi janë disa aspekte të QPS-ve, funksionaliteti i të cilave janë vënë në sprovë si rezultat i pandemisë.Përfundimet e këtij raporti kanë të bëjnë me shpërfaqjen e disa mangësive të QPS-ve dhehapave që duhen të ndërmerren për përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike të këtyre qendrave.

Hyrje

Hierarkia e institucioneve që ofrojnë shërbime sociale ose që angazhohen për mirëqenien sociale në Kosovë fillon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) - Departamenti i Mirëqenies Sociale, Drejtoritë Komunalepër Mirëqenie Sociale dheQendrat për Punë Sociale(QPS),duke formuar kështu nivelin qendror dhe lokal të shërbimeve sociale. Kjo hierarki rregullohet me Ligjinpër Shërbime Sociale dhe Familjare.

MPMS bën organizimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe siguron qasjen e barabartë në ato shërbime. Ministria po ashtu zhvillon politikat dhe përgatit plane strategjike për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë duke u siguruar që ato plane të zbatohen në nivel komunal nga drejtoritë dhe qendrat për punë sociale. Në raste të dyshimit nga opinioni publik për cilësinë e shërbimeve sociale, MPMS krijon komisionin hetues i cili zhvillon punimet publikisht dhe publikon konkluzionet dhe rekomandimet e tij.

Në emër të kësaj ministrie funksionon Departamenti i Mirëqenies Sociale, i cila përgatit udhëzimet administrative dhe urdhëresat. Ky departament mund të procedojë ankesat në lidhje me shërbimet sociale dhe familjare dhe ofron sugjerime dhe këshilla për ministrinë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës në lidhje me zhvillimin e politikave që kanë të bëjnë me shërbimet sociale dhe familjare. Kurse drejtoritë komunale ofrojnë shërbime sociale brenda territorit të vet duke angazhuar QPS-të dhe organizatat jo qeveritare nëpërmjet fondeve vjetore.

Qendrat për Punë Sociale janë institucione publike të formuara në nivel komunal, me një personel të trajnuar dhe kualifikuar për ofrimin e shërbimeve përkatëse. Veprimtaria e këtyre qendrave konsiston në ofrimin e drejtpërdrejtë të përkujdesjes dhe mirëqenies sociale, duke përfshirë edhe këshillimin dhe ndihmën materiale për rastet me nevojë sociale brenda territorit te komunës. Qendrat për Punë Sociale kanë Këshillin e Ekspertëve, që përbëhet nga punëtorët social të punësuar në to, ose siç njihen ndryshe në Ligjin për shërbime sociale dhe familjare si nënpunës të shërbimeve sociale. Ky këshill bën organizimin e QPS-ve dhe degëve të saj, jep propozime në lidhje me zgjidhjen e vështirësive profesionale dhe bën përgatitjen e arsimimit shtesë profesional.

Deri në vitin 2009, QPS-të kanë qenë nën administrimin e MPMS, ndërsa në vitin 2009 ka ndodhur procesi i decentralizimit dhe kompetencat për shërbimet sociale kanë kaluar në kompetencë komunale, financimi i të cilave bëhet nëpërmjet grantit të përgjithshëm të komunave që e marrin nga Ministria e Financave. Në territorin e Kosovës janë 40 Qendra për Punë Sociale me rreth 400 punëtorë social (intervistë me Mentor Morina, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale).

Përveç QPS-ve, MPMS ka në administrim edhe shtëpitë e komunitetit, që ofrojnë shërbime për persona të moshuar dhe për persona me nevoja të veçanta. Edhe shtëpitë e komunitetit kanë qenë nën kompetencën e ministrisë, kurse pas vitit 2016 kanë kaluar në kompetencë komunale, të cilat financohen nga buxheti qendror me aprovimin e MPMS. Tre institucione tjera që ndërlidhen me shërbimet sociale nën administrimin e MPMS janë Shtëpitë e Pleqve në Prishtinë, Instituti Special i Shtimes dhe Shtëpia e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Shtime.

MPMS, pos vijës institucionale,rregullon edhe sektorin jo qeveritar të ofrimit të shërbimeve sociale. Që nga vitit 2013, ky departament bën licencimin eorganizatave jo-qeveritare për shërbimet për të cilat MPMS-ja nuk i ofron, sikurse strehimi i viktimave të dhunës dhe shërbimet ditore. Sipas raportit vjetor 2019 të Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së stafit profesional, mbikëqyrjes, planifikimit të financimit dhe të avancimit të shërbimeve në përputhje me nevojat e komunave, QPS-të janë shndërruar në njësi administrativo-teknike.

Nevoja për shërbimet e QPS-ve është shpërfaqur edhe më shumë në kohë të pandemisë COVID-19, në një kohë ku pabarazitë shoqërore vetëm se janë thelluar. Në këtë kontekst, ky raport synon të analizojë se sa kanë arritur që Qendrat për Punë Sociale të jenë funksionale gjatë pandemisë, me çfarë sfida janë ballafaquar ato dhe sa kanë ofruar shërbime për qytetarët gjatë kësaj kohe.

Sfidat e Qendrave për Punë Sociale gjatë pandemisë

Qysh në fillim të pandemisë, QPS-të janë ballafaquar me kërkesa të shumta nga ana e qytetarëve. Gjatë periudhës së karantinimit intensiv, një detyrë specifikee QPS-ve ka qenë zbatimi imasës 15 të pakos emergjente të qeverisë, e cila nënkuptonte grumbullimin e dokumentacionit për personat të cilët nuk punojnë fare dhe dhënia e asistencës financiare për ta. Kjo i ka detyruar punëtorët social të ushtrojnë një rol që nuk është në përgjegjësinë e tyre. Për përfitim nga kjo skemë janë pranuar rreth 68 mijë aplikime, prej të cilave kanë përfituar rreth 27 mijë familje në një vlerë prej 130 euro për muajt prill-qershor 2020 (intervisë me Mentor Morina, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ). Sfidë tjetër për punonjësit e QPS-ve ka qenë edhe procesi i ankimimit. Në muajin gusht,QPS-të kanë pranuar rreth 11 mijë ankesa, ku një numër i madh i tyre ka të bëjë me mos-rifreskimine të dhënave në regjistrin civil, gjë që i ka përjashtuar nga skemat përfituese.

Përpos nevojës për ndihmë financiare, në Kosovë gjatë pandemisë është rritur edhe nevoja për shërbime të tjera sociale. Por, për shkak të distancës sociale, shumicën e kontakteve me përfituesit e shërbimeve sociale, punëtorët social kanë mundur ta mbajnë vetëm nëpërmjet telefonit, në përjashtim të rasteve emergjente siç janë dhuna në familje, apo braktisje e ndonjë fëmije.

Një sfidë tjetër ka qenë mungesa e stafit adekuat. Situata pandemike ka shtuar nevojën për trajtime psikologjike. Por, për shkak të mungesës së psikologëve në QPS, ky shërbim në masë të madhe nuk është ofruar. Dhuna në familje, kryesisht ndaj grave, ka qenë  e shprehur gjatë kohës së pandemisë. Vetëm gjatë tre mujorit maj-korrik 2020, në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë janë raportuar 77 raste të dhunës në familje (intervistë me Blerim Shabani, Qendra për Punë Sociale në Prishtinë).

Në të njëjtën kohë, edhe QPS-të janë detyruar të punojnë me staf të reduktuar sikurse shumë institucione të tjera publike. Një numër i stafit të QPS-ve kanë qenë të prekur nga koronavirusi kurse një pjesë është liruar nga puna për shkak të moshës më të vjetër. Infektimi i punëtorëve social ka ndodhur si rezultat i ekspozimit që kanë pasur qoftë gjatë asistimit të rasteve në polici, mbajtjeve të kujdestarive 24 orëshe apo edhe si rezultat i grumbullimit të palëve në zyrat e tyre.

Raportimet e drejtorive komunale ndaj MPMS-së tregojnë se kërkesat e QPS-ve kanë të bëjnë me mungesën e buxhetit për intervenime në raste emergjente, ngritjenekapaciteteve teknike sikurse veturave për punën në terren, si dhe mos-trajtimine duhur të punëtorëve social për punën që bëjnë. Megjithatë,MPMS-ja synon që nëpërmjet Ligjit për shërbime sociale dhe Ligjit mbi financat lokale të rrisë numrin e punëtorëve social, sidomos për shkak të mungesës së profilizimeve dhe moshës tejet të lartë të punonjësve aktual.

Nevoja për ngritjen e kapaciteteve të Qendrave për Punës Sociale

Raporti vjetor i Avokatit të Popullit konstaton se ka mungesë të mbikëqyrjes, të planifikimit, të financimit dhe të avancimit të shërbimeve në përputhje me nevojat e komunave. Avokati i Popullit ka tërhequr vëmendjen edhe lidhur me kufizimin për përfitim të ndihmës sociale për fëmijët nën moshën pesë vjeçe në Ligjin për Skema Sociale në fuqi, mirëpo kjo çështje ende mbetet e pazgjidhur.

Kjo çështje sipas MPMS parashihet të zgjidhet në vitin 2021, ku në mesin e reformave të ndihmës sociale parashihet të largohet kriteri për fëmijët nën moshën pesë vjeçe. Sipas MPMS një ndër sfidat kryesore është çështja e financimit. Përmes ndryshimit të Ligjit për Financat Lokale, kjo ministri ka propozuar krijimin e grantit të veçantë për shërbime sociale,gjë që do t’i mundësonte komunave, në këtë rast Qendrave për Punë Sociale, një buxhet të caktuar me rekomandim nga komisioni i granteve për financimin e shërbimeve sociale. Kjo do të bënte që të ketë një minimum të financimit të rekomanduar nga niveli qendror dhe nga komisioni i granteve për financimin e shërbimeve sociale (intervistë me Mentor Morina, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale).

Edhe raporti për Kosovën i Komisionit Evropian për vitin 2020 paraqet disa vërejtje në lidhje me ndryshimet e nevojshme ligjore mbi shërbimet sociale. Një ndryshim që duhet të ndodhë ka të bëjë me caktimin e fondeve nga granti i përgjithshëm për shërbimet sociale përmes ndryshimeve në Ligjin për financat lokale. Po ashtu Ligji për dhunën në familje duhet të harmonizohet me kodin e ri penal, përderisa Strategjia për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016-2020 duhet të zbatohen.Komisioni Evropian po ashtu rekomandon që QPS-të të jenë më gjithë përfshirëse, ngase shpenzimet e përgjithshme për mbrojtjen sociale arrijnë në vetëm 6% të Bruto Produktit Vendor (BPV), dhe atë kryesisht për pensionet e pleqërisë dhe veteranëve të luftës.

Sipas Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale, nevojat tjera të Qendrave për Punës Sociale kanë të bëjnë me krijimin e një strukture të saktë të QPS-ve, të definohen saktë nevojat e stafit, profilet e shërbimeve të jenë në përpjesëtim me numrin e banorëve si dhe të rriten kapacitetet për përgatitjen e kuadrove profesionale në mënyrë që studentët e kësaj fushe të jenë të gatshëm që të marrin vendin e punës dhe të trajtojnë rastet (intervistë me Vebi Mujku, Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale).

Përfundimet

Gjatë kohës së pandemisë COVID-19, sektori më funksional në Qendrat për Punë Socialeka qenë sektori i asistencës sociale. Sektori i shërbimeve ka funksionuar vetëm në adresimin e rasteve emergjente siç është dhuna në familje apo braktisja e fëmijëve. Kjo ka bërë që viktimat e dhunës në familje të jenë përfituesit e vetëm të shërbimeve strehuese në kohë pandemie.

Punëtorët social nuk kanë kushte të favorshme të punës, duke filluar nga mungesa e resurseve teknike si vetura për punë në terren e deri tek ato edhe më bazike si mjetet e komunikimit. Këto ndikojnë në efektivitetin e punëtorëve social, duke përfshirë këtu numrin e madh e të mbi ngarkuar të rasteve që trajtojnë dhe mungesa e masave mbrojtëse që ka rrezikuar edhe shëndetin e tyre.

QPS-të jo vetëm që vazhdojnë të kenë mungesë të stafit por ekziston edhe fenomeni i mos përgatitjes profesionale të stafit ekzistent. Një ndër shkaktarët për këtë konsiderohet mungesa e arsimit cilësor në fushat përkatëse të arsimit të lartë. Në anën tjetër, mungesa e mjeteve financiare për realizimin e duhur të shërbimeve sociale dhe diskrepanca mes hartimit të legjislacionit dhe zbatimi të tij mbeten sfida me të cilat ballafaqohen QPS-të.

Ky raport është publikuar në kuadër të ciklit të parë të Programit të Mentorimit Profesional i cili synon të rrisë aftësitë hulumtuese dhe të shkruarit për hulumtues dhe gazetarë të rinj, përmes mentorimit nga hulumtuesit e Institutit GAP dhe gazetarët e Kosovo 2.0.

Ky publikim është botuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Institutit GAP dhe Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Projekti “Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimin qytetar” i financuar nga BE, implementohet nga: Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP.

Raporti është i disponueshëm edhe në gjuhën serbe, ju lutem na shkruani në info@institutigap.org

Korab Mala ndjek studimet për punë sociale në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Është mjaft aktiv në shoqëri, ku është angazhuar në projekte të ndryshme në nivel fakulteti dhe në organizata të shoqërisë civile. Aktualisht është koordinator vullnetar në Klubin e Etikës së Filozofikut, një grup joformal studentor. Në sajë të këtyre angazhimeve ka identifikuar disa kauza në të cilat pretendon të dedikohet në të ardhmen, si politikat e banimit social dhe cilësia e arsimit në departamentin e Punës Sociale në UP.