Komuna e Skenderajt që nga zgjedhjet e para lokale udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Në dy mandatet e fundit qeverisëse (2007-2009 dhe 2009-2013) kryetar i Komunës së Skenderajt është Sami Lushtaku. Në mandatin e parë të tij qeverisës, z.Lushtaku kishte mbajtur afër gjashtë muaj burg, pasi që ishte gjendur fajtor me rastin e kërcënimit të gjyqtarit. Në mandatin e tij aktual qeverisës, Kryetari i Komunës së Skenderajt është i akuzuar për kërcënim ndaj udhëheqëses së BIRN në Kosovë, si dhe është nën hetime nga Prokuroria Speciale për kërcënim ndaj gazetarit të “Koha Ditore”.
Komuna e Skenderajt në 2012 ka pasur rënien më të madhe të hyrave komunale. Gjatë vitit 2012, shuma totale e të hyrave komunale ka qenë 572.000 euro, apo 641.000 euro më pak se gjatë vitit 2011. Krahas rënies së të hyrave, Komuna e Skenderajt ka nivelin më të lartë të borxhit publik në krahasim me komunat e tjera. Në vitin 2011 niveli i borxhit që ka pasur Skenderaj është llogaritur në mbi 3.8 milionë euro, ndërsa në vitin 2012, shuma e borxhit rezulton të jetë mbi 1.5 milionë euro.
Niveli i borxhit ka ardhur nga kontraktimi i punëve publike pa pasur mbulueshmëri të sigurt financiare. Shuma e lartë e borxhit ka ardhur edhe përkundër që Komuna e Skenderajt gjatë tri viteve të fundit ka gëzuar mbështetje të gjerë nga ana e Qeverisë. Nga Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës për vitin 2013, janë paraparë 1.497.352 euro të investohen në Komunën e Skenderajt. Skenderaj radhitet si komuna e katërt për nga shuma e investimeve të Ministrisë së Infrastrukturës nëpër komuna. Kurse radhitet e dyta në listën e investimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ku këtë vit (2013) pritet të investohen 1.4 milion euro në infrastrukturën e shkollave të kësaj komune. Investimet e MASHT-it në këtë komunë vinë në kohën kur në fshatrat Kastriot dhe Radishevë të Skenderajt janë ndërtuar objekte shkollore të cilat qëndrojnë të mbyllura, me arsyetimin e mungesës së nxënësve. Shkolla në fshatin Kastriot nuk është hapur asnjëherë, ndërsa ajo në fshatin Radishevë ka qenë e hapur tri vite radhazi, por pas kësaj periudhe është mbyllur.
Rënia e të hyrave dhe shkalla e borxhit nuk është manifestuar me rënien e shpenzimeve. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 90.000 euro janë shpenzuar në vitin 2012 për karburant për vetura, 26.000 në telefona fiks dhe mobil, ndërsa mbi 29.000 euro në dreka dhe darka zyrtare. Në përgjithësi në tri vitet e fundit (2010-2012) Komuna e Skenderajt për dreka dhe darka ka shpenzuar 110.306 euro, për telefoni mobile 39.355 euro, për telefoni fikse 39.082 euro, karburant për vetura 237.104 euro, naftë për ngrohje 143.797 euro, blerje të druve dhe thëngjillit për ngrohje 258.596 euro, karburant për gjenerator mbi 21.000 euro, ndërsa për riparim dhe mirëmbajtje të veturave zyrtare janë shpenzuar 56.971 euro. Disa nga këto shpenzime do të mund të reduktoheshin, veçmas kur kihet parasysh se gjatë vitit 2012 rreth 9.000 persona në Skenderaj kanë qenë pjesë e skemës sociale, apo 20% e banorëve të Skenderajt.
Komuna e Skenderajt ka përfaqësim tejet të vogël të femrave në pozitat publike. Përveç që asnjë drejtori nga nëntë gjithsej, nuk udhëhiqen nga femrat, numri i femrave të punësuara në dikasteret e komunës del të jetë tejet i vogël. Kësisoj, nga 208 të punësuar si shërbyes civil, vetëm 38 prej tyre janë femra (apo vetëm 18.2%). Numri i femrave të punësuara është tejet i vogël edhe në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor të kësaj komune.
Përveç problemeve të përgjithshme që nuk lidhen me përgjegjësitë direkte të komunave, si papunësia, varfëria, mungesa e rrymës, banorët e Komunës së Skenderajt përballen edhe me probleme si mungesa e kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit, mungesë të shërbimeve shëndetësore, ndotja e lumit të qytetit, mungesa e mirëmbajtjes nëpër ndërtesa publike si dhe në disa raste është hasur dukuria e dëmtimit të shpejtë infrastrukturës rrugore nga cilësia e dobët e punimeve të kryera.
Nga 33 premtime të dhëna nga Kryetari i Komunës Sami Lushtaku gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2009 në bazë të hulumtimit të GAP del se pas tri viteve të qeverisjes në Komunën e Skenderajt, 15 premtime janë përmbushur, 11 nuk janë përmbushur, ndërsa në 7 premtime ka pasur nisma dhe rezultate evidente, por nuk mund të konsiderohen akoma premtime të përmbushura.
Raporti i GAP i cili mbulon zhvillimet rreth politikave publike në Komunën e Skenderajt për periudhën janar 2010 – dhjetor 2012, trajton problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët, performancën buxhetore, investimet kapitale, aktivitetet e prokurimit publik, gjendjen në administratë, arsim dhe shëndetësi, transparencën e Komunës, si dhe ka realizueshmëria e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore 2009.