Thirrje për Aplikim për studentë të nivelit bachelor dhe master

03/11/2021

Instituti GAP, me përkrahjen e UNDP SAEK 3, mbeshtetur nga qeveria Zvicerane dhe ajo Suedeze, (SDC dhe SIDA), hap thirrjen për ciklin e katërt të shkrimeve analitike për studentët e nivelit baçelor dhe master në Kosovë. Kjo garë synon nxitjen e studentëve për përfshirje në studimin e politikave publike në Kosovë duke shpërblyer me çmime punën e tyre.

Kjo garë organizohet në kuadër të aktiviteteve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Tema e përgjithshme: “Përfshirja e grave në masat e pakove për rimëkëmbjen ekonomike”

Tema potenciale: “Si ndikoi pandemia COVID-19 në punësimin e grave në Kosovë?”, “Cfarë ndikimi mund të ketë zbatimi i masës së Qeverisë për mbështetjen për lehona dhe shtesat për fëmijë?”, “Si është realizuar përfshirja e grave në pakot e rimëkëmbjes ekonomike të aplikuara në shtetet e rajonit?”

Inkurajoheni të krijoni temën tuaj origjinale dhe argumentet tuaja duke u bazuar në pyetjet e cekura më lartë apo çështje tjera që lidhen me masat e pakove për rimëkëmbjen ekonomike për përfshirjen e grave.

Udhëzimet për aplikim

Autorët e shkrimeve duhet të jenë studentë të nivelit baçelor ose master;

  • Shkrimet duhet të jenë origjinale dhe të pabotuara. Shkrimet e plagjiarizuara do të refuzohen;
  • Shkrimet duhet të shkruhen nga një apo dy autorë. Shkrimet e shkruara nga më shumë se dy bashkë-autorë nuk do të pranohen;
  • Shkrimet duhet të jenë deri në 1,000 fjalë. Shkrimet më të gjata do të diskualifikohen automatikisht;
  • Burimet e të dhënave duhet të citohen brenda tekstit/me fusnotë. Nuk ka nevojë për listë referencash;
  • Burimet potenciale të të dhënave: Pakoja e Ringjalljes EkonomikePakoja e Rimëkëmbjes EkonomikeAgjencia e Statistikave të KosovësVendimet e Qeverisë së Kosovës; Raportet e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë; Agjencitë e statistikave të vendeve të rajonit.
  • Shkrimet duhet të dërgohen në format Word MS, në emailin info@institutigap.org, Po ashtu, duhet të bashkangjitni kopjen e skanuar të kartelës studentore apo ndonjë dëshmi tjetër që tregon se jeni student/e në ndonjërin prej institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë në kohën e dorëzimit të shkrimeve.
  • Në titullin e emailit (Subject) shkruani “Gara me shkrime - Emri dhe Mbiemri”.
  • Afati i fundit për dorëzim të shkrimeve është më 28 nëntor 2021 në mesnatë.
  • Shkrimet e dorëzuara pas afatit të përcaktuar nuk do të merren parasysh.

 

 

 

Formati i shkrimeve

- Hyrje

Paragrafi hyrës duhet të përfshijë tezën apo qëllimin e shkrimit, duke i njoftuar lexuesit rreth    temës   kryesore të tij. Nuk duhet përdorur të dhëna ose fakte thelbësore që mbështesin argumentet tuaja në këtë seksion.

- Përmbajtja

Vendosni të gjitha të dhënat dhe faktet këtu. Organizoni idetë në sa më shumë paragrafë të nevojshëm që mbështesin tezën apo qëllimin e shkrimit tuaj. Nëse keni tri argumente, shkruani ato në tre paragrafë duke i radhitur sipas rëndësisë dhe potencialit për t’i mbështetur ato.

- Përfundimi

Mos vendosni informacione apo të dhëna të reja në këtë paragraf. Vetëm përmblidheni mirë shkrimin duke ripërmendur argumentet kryesore të tij dhe duke sinjalizuar fundin e tij apo duke bërë një "thirrje për veprim" nëse shkrimi juaj do të shkruhet në atë mënyrë që të bind lexuesit të veprojnë kundrejt diçkaje.

Vlerësimi i shkrimeve

Paneli vlerëson në mënyrë të pavarur të gjitha shkrimet në bazë të kritereve të mëposhtme: 

- Origjinaliteti në temat e trajtuara

- Përdorimi i të dhënave në mënyrë të drejtë/ Saktësia e të dhënave

- Cilësia dhe thellësia e hulumtimit

- Stili i shkrimit, gramatika, drejtshkrimi, pikësimi dhe citimi

Çdo anëtar/e i/e panelit do të vlerësojë përmbajtjen e përgjithshme me pikë dhe tri shkrimet me pikët më të larta do vlerësohen me çmime. Vlerësimi bëhet nga Instituti GAP dhe UNDP.

Vetëm fituesit e katër vendeve të para do të lajmërohen.

Çmimet

Vendi i parë: 200 Euro dhe mirënjohje

Vendi i dytë: 150 Euro dhe mirënjohje

Vendi i tretë: 130 Euro dhe mirënjohje

Vendi i katërt: 120 Euro dhe mirënjohje

Për formatin pdf kliko Këtu

Për thirrjen ne gjuhën serbe na shkruani ne info@institutigap.org