Vendimet e Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2021 nga perspektiva sektoriale, gjinore dhe buxhetore

18/03/2022

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Vendimet e Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2021 nga perspektiva sektoriale, gjinore dhe buxhetore.”

Qëllimi i këtij raporti është të analizojë vendimet e Qeverisë Kurti, nga marrja e mandatit në fund të muajit mars 2021, deri në fund të vitit 2021, duke bërë ndarjen e tyre sipas institucioneve dhe sipas fushave/sektorëve.

Qeveria e Kosovës, që nga fillimi i këtij mandati, ka mbajtur 53 mbledhje dhe ka aprovuar gjithsej 486 vendime. Numri më i madh i vendimeve sipas institucionit zbatues i takon Zyrës së Kryeministrit me 124 vendime. Në vendin e dytë për nga numri i vendimeve është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me gjithsej 97 vendime, përcjellur nga Ministria e Shëndetësisë me gjithsej 54 vendime.

Në aspektin sektorial, 21 % e vendimeve ishte në fushën e qeverisjes. Një numër i madh i vendimeve ishte edhe në fushat që iu atribuan menaxhimit të pandemisë, e që janë: 8.2% nga gjithsej vendimet për menaxhim të pandemisë, 6.2% për fushën e shëndetit publik dhe mbrojtjes sociale, dhe 4.9% për ringjalljen ekonomike. Një kategori tjetër me numër më të lartë të vendimeve ishte ajo e sundimit të ligjit, 7.6%.

Në aspektin gjinor, nga të dhënat e mbledhura nga këto vendime vërehet se ka një progres në përfaqësimin e grave në pozita udhëheqëse. Konkretisht, përmes këtyre vendimeve janë emëruar gjithsej 89 zyrtarë, ku prej tyre 35 gra (39.3 %) dhe 54 burra (60.7%). Nëse analizohen sipas pozitave, 44.7% të grave janë emëruar si anëtare të bordeve, 35.1% si anëtare të komisioneve, dhe 33.3% si sekretare të përgjithshme.

Për më shumë, ky raport përmban edhe një përmbledhje statistikore të realizimit të Programit Legjislativ të qeverisë për vitin 2021, si dhe ndarjet buxhetore gjatë kësaj periudhe bazuar në vendimet e qeverisë.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

 

Raporti në gjuhen serbe është i disponueshem në formë të printuar.

 

Projekti "Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimin qytetar" i financuar nga BE, implementohet nga: Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP.

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Institutit GAP dhe Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

#institutigap #k2.0 #eu