Letërnjoftimi i Komunës së Suharekës 2013

26/03/2013

GAP publikon raportin e 23 me radhë për qeverisjen lokale

Per te lexuar raportin klikoni;
Pas nëntë viteve të qeverisjes nga ana e LDK, Suhareka në zgjedhjet lokale të 2009 për kryetar komune votoi kandidatin e AAK z.Blerim Kuçi, një ish anëtar dhe ish ministër nga radhët e LDK. Blerim Kuçi arriti të fitoi shumicën e votave në raundin e dytë zgjedhor për kryetar komune, edhe pse partia e tij u radhit e treta me vota në garën për Kuvendin Komunal. 

Kryetari i Komunës së bashku me zëvendësin e tij, kanë ofruar shembull të mirë duke hequr dorë nga marrja e pagës mujore në ushtrimin e pozitës së Kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, dhe pagat e tyre rregullisht transferohen në kontot e nxënësve dhe studentëve të dalluar të kësaj Komune. Kryetari ka hequr dorë nga paga, por jo edhe nga kompania private të cilën e përfaqëson dhe menaxhon duke deklaruar 100% aksione, ndonëse kjo bije ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. 

Komuna e Suharekës ka përmbyllur vitin 2012 duke prezantuar mbi 2.9 milionë euro të hyra komunale, të cilat shikuar nga viti paraprak (2011), janë për rreth 1.3 milionë euro më shumë. Por, kjo rritje ka ardhur nga aplikimi i taksës mbi shpronësimin e tokave në trasenë e autostradës “Ibrahim Rugova”. Këto të hyra nuk do të mund të figurojnë edhe në vitet në vazhdim, çka do të bëjnë Komunën e Suharekës të llogaritet më rënie drastike të të hyrave komunale.    

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë tri viteve të fundit, Zyra e Kryetarit të Suharekës, krahasuar me komunat e tjera, ka pasur shpenzime me shifra të arsyeshme, por kjo nuk mund të thuhet edhe për dikasteret e tjerë komunale në Suharekë. Kësisoj, vetëm gjatë vitit 2012, Komuna e Suharekës ka shpenzuar për dreka dhe darka mbi 42.000 euro, ndërsa shikuar nga fillimi i mandatit (2010-2012), për dreka dhe darka, Komuna e Suharekës ka shpenzuar mbi 92.000 euro, në telefon mobil mbi 79.000, ndërsa në telefon fiks mbi 71.000 euro. Edhe në raportet financiare për vitin 2011 dhe atë 2012, Komuna e Suharekës nuk ofron pasqyra të detajuara të shpenzimeve, gjë që e bën të pamundur saktësimin e shpenzimeve në disa kategori. Askund në këto raporte nuk tregohen shumat e shpenzuara për derivate për automjete, apo derivate për gjenerator, naftë për ngrohje, apo blerje e druve dhe thëngjillit. Të gjitha këto janë futur në një linjë duke u emërtuar si “shpenzime për lëndë djegëse”. Gjatë tri viteve (2010-2012) për lëndë djegëse janë shpenzuar afro 850.000 euro.      

Nga gjithsej 194 persona të punësuar në administratën komunale, vetëm 32 të punësuar apo 16% janë femra. Nga nëntë drejtori sa ka Komuna e Suharekës, asnjë prej tyre nuk udhëhiqet nga femrat. 

Komuna e Suharekës është njëra ndër komunat ku më së paku gjenden të dhëna, informata dhe dokumente në faqen e saj zyrtare. Në këtë faqe nuk mund të gjesh asnjë raport për buxhetin apo për mënyrën dhe fushat e shpenzimit të parasë publike. 

Në këtë raport, i cili mbulon zhvillimet rreth politikave publike në komunën e Suharekës për periudhën janar 2010 – dhjetor 2012, Instituti GAP ka përmendur problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët, ka analizuar perfomancën buxhetore, investimet kapitale, aktivitetet e prokurimit publik, gjendjen në administratë dhe arsim, transparencën e Komunës, si dhe ka matur realizueshmërinë e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore të 2009.