Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2021

16/12/2022

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2021”. Ky raport vlerëson transparencën buxhetore të komunave në Kosovë dhe i rendit ato në bazë të performancës. Ky vlerësim bazohet në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjeve të komunave në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente publike.


Në Indeksin e vitit 2021, transparenca buxhetore e komunave ka qenë në një nivel më të lartë. Mesatarja e pikëve të Indeksit për të gjitha komunat është rritur në 53.1 pikë nga 51.5 sa ishte në vitin 2020. Kjo rritje vjen si rezultat i organizimit të më shumë dëgjimeve buxhetore (22 më shumë se në vitin 2020). Nga gjithsej 100 pikë të Indeksit, rreth 65% e komunave kanë arritur të mbledhin mbi 50 pikë. Komuna e Lipjanit, Mitrovicës së Jugut dhe ajo e Rahovecit, i kanë arritur pikët maksimale në vlerësim.

Në Indeksin e vitit 2021, në krahasim me vitin 2020, 17 komuna  kanë treguar progres në transparencë buxhetore, kurse 16 komuna kanë treguar regres. Progresin më të madh me pikë e kanë shënuar Komuna e Drenasit (+25 pikë), Komuna e Mamushës (+23.5 pikë) dhe Komuna e Lipjanit (+20 pikë). Ndërsa regresin më të madh në pikë e kanë treguar: Komuna e Shtimes, me 31 pikë më pak; Komuna e Shtërpcës, me 27.5  pikë më pak; dhe Komuna e Parteshit me 15 pikë më pak (e cila tani ka zero pikë).

Gjatë vitit 2021, komunat kanë publikuar 256 dokumente buxhetore (16 më pak se në vitin e kaluar). Nga 38 komuna, vetëm 18 prej tyre i kanë publikuar të gjitha dokumentet buxhetore që obligohen t’i publikojnë sipas Udhëzimit administrativ të MAPL-së për transparencë buxhetore në komuna, ndërsa pjesa tjetër e komunave nuk kane publikuar dokumente tjera të rëndësishme buxhetore. Për më shumë, gjatë vitit 2021, komunat e Kosovës kanë shënuar regres sa i përket përqindjes së publikimit të dokumenteve të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Të dhënat vizuele mund t’i gjeni duke klikuar në platformën: Indeksi i  Transparencës Buxhetore të Komunave.