Rezervat buxhetore të Qeverisë së Kosovës

23/12/2022

Në buxhetin vjetor të Qeverisë së Kosovës paraqiten disa linja buxhetore të rezervave: shpenzimet e paparashikuara, rezerva rrjedhëse, kontigjencat dhe rezerva emergjente për likuiditet. Këto rezerva janë të rëndësishme dhe kanë për qëllim të funksionojnë si amortizues financiar në raste të krizave të ndryshme. Përkundër natyrës së kësaj kategorie të shpenzimeve dhe përkufizimit ligjor të saj, përgjatë viteve ka pasur raste të shumta kur këto mjete janë ndarë për arsye jo-emergjente ose raste që kanë mundur të planifikohen më herët. Për më shumë, viteve të fundit kontigjencat e ndara nga Qeveria kanë qenë në nivel më të lartë se sa sugjerohet në literaturë (3% e shpenzimeve buxhetore).

Instituti GAP ka analizuar këto kategori të rezervave ndër vite, trendin e përdorimit të tyre, bazën ligjore dhe përparësitë apo mangësitë e tyre. Vetëm në vitin 2023, nga të gjitha linjat e rezervave janë buxhetuar rreth 279 milionë euro apo 8.7% e të gjitha shpenzimeve buxhetore. Tek kategoria e shpenzimeve të paparashikuara, gjatë periudhës 2017-2022, mesatarja vjetore e buxhetuar ishte rreth 6.3 milionë euro.  Vlera më e lartë e planifikuar ishte në vitin 2017, me 8.9 milionë euro, dhe ajo më e ulëta në vitin 2021, me 3.8 milionë euro. Tek rezerva rrjedhëse, gjatë periudhës 2017–2023, mesatarja vjetore e ndarë ishte 15.4 milionë euro. Nga kjo kategori, mesatarisht rreth 55% është ndarë për nivelin lokal, ndërsa 45% për nivelin qendror.

Në kategorinë e kontigjencave, viteve të fundit janë vërejtur shuma të mëdha të buxhetuara, me një mesatare prej 130 milionë euro në vit. Për vitin 2023, janë planifikuar gjithsej 220.7 milionë euro për kontigjenca, ku prej tyre rreth 75 milinë euro janë ndarë për energji, 65 milionë për paga dhe shtesa (për mbulimin e ndikimit financiar të ligjit të ri të pagave), rreth 40 milionë euro janë ndarë për subvencione dhe transfere, si dhe 20 milionë euro për shpenzime kapitale.

Mjetet e ndara për këto kategori, në raste të emergjencave janë të arsyetueshme; megjithatë, konsiderohet që shumat e ndara viteve të fundit janë të larta dhe kjo jep indikacion që nuk ka planifikim adekuat meqenëse mjetet janë të bllokuara, ka kosto të lartë oportune, si dhe lë hapësirë për shpenzim të mjeteve për synime partiake.  

Për më shumë klikoni këtu.