Progresi i kryetarëve të komunave në përmbushjen e premtimeve zgjedhore gjatë mandatit 2021 – 2025

07/09/2023

Në platformën elektronike “LETËRNJOFTIMI I KOMUNAVE”, sot Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave për mandatin 2021-2025.  Ky përditësim përfshin periudhën deri në fund të qershorit 2023.

Nga gjithsej 1,816 premtime të 27 kryetarëve të komunave, 473 premtime  (26%) janë përmbushur, 285 premtime (16%) janë gjysmë të përmbushura, 422 premtime (23%) janë të filluara, dhe 636 (35%) e premtimeve mbeten të pa filluara.

Numri më i madh i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike. Tek fusha e arsimit prijnë përmbushja e premtimeve në ofrimin e bursave, në krijimin e kabineteve dhe laboratorëve, në mirëmbajtjen e hapsirave shkollore, transparencës në përzgjedhjen e stafit, si dhe mbulimin e transportit për nxënësit. Tek fusha e ekonomisë, disa nga premtimet e përmbushura ndërlidhen me mbështetjen e bizneseve të reja, krijimin e zyrave për biznes, dhe mbështetjen e bizneseve në promovimin e produkteve të tyre. Kurse tek fusha e shërbimeve publike, parkingjet për automjete, shënjëzimi dhe sinjalizimi në komunikacion, ndriçimi publik, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbërta, janë ndër premtimet që janë përmbushur nga më shumë kryetarë të komunave. Në fushën e kulturës, janë përmbushur premtimet si organizimi i festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme, ndarja e mjeteve buxhetore për mbështetjen e aktiviteteve teatrale, atyre të galerive dhe organizimeve të tjera kulturore.

Ndërsa numri më i vogël i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e urbanizimit, sportit dhe infrastrukturës. Në këtë të fundit, nga gjithsejt 199 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, deri më tani janë përmbushur vetëm 13 premtime (7%). Në periudhën e njëjtë të mandatit të kaluar, kjo fushë printe me numrin e premtimeve të përmbushura. Ngecje vërehet edhe në fushën e urbanizimit, sikurse në hartimin e planeve rregulluese, planeve zhvillimore urbane dhe hartave zonale.

Instituti GAP bën monitorim periodik të realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës, ngase disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore. Kryetarët e komunave sikurse Mamusha dhe të dhjetë komunave të banuara me popullatë me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.

Për të parë detajet e premtimeve të dhëna dhe përmbushjen e tyre, mund të vizitoni platformën elektronike të Institutit GAP duke klikuar Këtu dhe Përmbledhjen grafike të përmbushjes së premtimeve për këtë periudhë.