Thirrje për aplikim - Gara me shkrime për studentë të nivelit bachelor dhe master

01/11/2023

Instituti GAP, me përkrahjen e UNDP/Projekti SAEK III, mbështetur nga Qeveria Zvicerane dhe ajo Suedeze, (SDC dhe SIDA), hap thirrjen për ciklin e gjashtë të shkrimeve analitike për studentët e nivelit baçelor dhe master në Kosovë. Kjo garë synon nxitjen e studentëve për përfshirje në studimin e politikave publike në Kosovë duke shpërblyer me çmime punën e tyre.

Kjo garë organizohet në kuadër të aktiviteteve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Studentët mund të zgjedhin njërën nga dy temat e listuara më poshtë:  

  1. “Praktikat më të mira kundër-korrupsion në prokurimin publik”

Cilat janë disa praktika të suksesshme të zbatuara në shtetet e zhvilluara që kanë ndikuar në uljen e korrupsionit në prokurimin publik? Cilat faza të prokurimit publik dalin të jenë më të shpërfaqura ndaj korrupsionit? Cilat janë pasojat e korrupsionit në prokurimin publik për shoqërinë dhe ekonominë? Cili është ndikimi i teknologjisë dhe inovacionit në përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në prokurim publik? Çfarë roli luan ligji dhe sistemi i drejtësisë në parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në prokurimin publik?

  1. “Performanca dhe transparenca e ndërmarrjeve publike në Kosovë”

A kanë ndërmarrjet publike në Kosovë një model të qendrueshëm zhvillimor? A janë të stërngarkuara ndërmarjet publike? Cilat janë pasojat e ndikimit politik në funksionimin e ndërmarrjeve publike? A është përmirësuar transparenca dhe llogaridhënia e ndërmarrjeve publike në Kosovë? A kanë ndërmarrjet publike performancë më të mirë viteve të fundit? Cilat janë sfidat në shmangjen e korrupsionit dhe konfliktet e interesave në ndërmarrjet publike të Kosovës? Si mund të përmirësohet transparenca e ndërmarrjeve publike në Kosovë?

Inkurajoheni të krijoni temën tuaj origjinale dhe argumentet tuaja duke u bazuar në pyetjet e cekura më lartë apo çështje tjera që lidhen me temat e listuara.

Udhëzimet për aplikim

- Autorët e shkrimeve duhet të jenë studentë të nivelit baçelor ose master;

- Shkrimet duhet të jenë origjinale dhe të pabotuara. Shkrimet e plagjiarizuara do të refuzohen;

- Shkrimet duhet të shkruhen nga një apo dy autorë. Shkrimet e shkruara nga më shumë se dy bashkë-autorë nuk do të pranohen;

- Shkrimet duhet të jenë deri në 1,000 fjalë. Shkrimet më të gjata do të diskualifikohen automatikisht;

- Burimet e të dhënave duhet të citohen brenda tekstit/me fusnotë. Nuk ka nevojë për listë referencash;

- Shkrimet duhet të dërgohen në format Word MS, në emailin info@institutigap.org. Po ashtu, duhet të bashkangjitni kopjen e skanuar të kartelës studentore apo ndonjë dëshmi tjetër që tregon se jeni student/e në ndonjërin prej institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë në kohën e dorëzimit të shkrimeve.

- Në titullin e emailit (Subject) shkruani “Gara me shkrime - Emri dhe Mbiemri”.

- Afati i fundit për dorëzim të shkrimeve është më 26 nëntor 2023 në mesnatë.

- Shkrimet e dorëzuara pas afatit të përcaktuar nuk do të merren parasysh.

Formati i shkrimeve

Hyrje

Paragrafi hyrës duhet të përfshijë tezën apo qëllimin e shkrimit, duke i njoftuar lexuesit rreth temës kryesore të tij. Nuk duhet përdorur të dhëna ose fakte thelbësore që mbështesin argumentet tuaja në këtë seksion.

Përmbajtja

Vendosni të gjitha të dhënat dhe faktet këtu. Organizoni idetë në sa më shumë paragrafë të nevojshëm që mbështesin tezën apo qëllimin e shkrimit tuaj. Nëse keni tri argumente, shkruani ato në tre paragrafë duke i radhitur sipas rëndësisë dhe potencialit për t’i mbështetur ato.

Përfundimi

Mos vendosni informacione apo të dhëna të reja në këtë paragraf. Vetëm përmblidheni mirë shkrimin duke ripërmendur argumentet kryesore të tij dhe duke sinjalizuar fundin e tij apo duke bërë një "thirrje për veprim" nëse shkrimi juaj do të shkruhet në atë mënyrë që të bind lexuesit të veprojnë kundrejt diçkaje.

Vlerësimi i shkrimeve

Paneli vlerëson në mënyrë të pavarur të gjitha shkrimet në bazë të kritereve të mëposhtme:

Origjinaliteti në temat e trajtuara

Përdorimi i të dhënave në mënyrë të drejtë/ Saktësia e të dhënave

Cilësia dhe thellësia e hulumtimit

Stili i shkrimit, gramatika, drejtshkrimi, pikësimi dhe citimi

Çdo anëtar/e i/e panelit do të vlerësojë përmbajtjen e përgjithshme me pikë dhe tri shkrimet me pikët më të larta do vlerësohen me çmime. Vlerësimi bëhet nga Instituti GAP dhe UNDP/Projekti SAEK III

Vetëm fituesit e tri vendeve të para do të lajmërohen.

Çmimet

Vendi i parë: 250 Euro dhe mirënjohje

Vendi i dytë: 200 Euro dhe mirënjohje

Vendi i tretë: 150 Euro dhe mirënjohje

 

Për thirrjen në gjuhën serbe na shkruani në info@institutigap.

Për formatin PDF kliko këtu