Letërnjoftimi i Komunës së Istogut 2013

11/04/2013

Instituti GAP publikon raportin e 24 me radhë për qeverisjen komunale pas zgjedhjeve lokale të 2009

“Letërnjoftimin e Komunës së Istogut 2013” mund ta lexoni duke klikuar këtu;

Komuna e Istogut që nga zgjedhjet e para lokale të vitit 2000 udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kryetari aktual i kësaj komune z.Haki Rugova po e përmbyll mandatin e parë katër vjeçar, duke e lenë të hapur mundësin për hyrjen në garë zgjedhore edhe për një mandat të dytë. Paralelisht me ushtrimin e funksionit të Kryetarit, z.Rugova në të njëjtën periudhë ka vetë deklaruar aksione në firmën private “Macon”, firmë kjo që nga të dhënat zyrtare rezulton  që ka marrë tender në Komunë të Istogut për çështje të projektimeve në së paku dy raste gjatë periudhës 2010-2012. E njëjta firmë ka ndërtuar pallatin gjigant në qendër të qytetit dhe njëherazi ka marrë të drejtën (në fazën e parë) për ndërtimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, investim ky nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) i dhënë në kohën kur me ketë ministri ka udhëhequr LDK. 

Komuna e Istogut, ndonëse ka përmirësuar dukshëm nivelin e transparencës komunale gjatë tri viteve, ajo nuk i ka ofruar qasje të plotë Auditorit të Përgjithshëm të vendit gjatë auditimit të vitit 2011. Një pjesë e madhe e dokumentacionit të kërkuar për të hyrat komunale nuk i janë ofruar Zyrës së Auditorit. Nuk i janë ofruar as regjistrat e plotë për të hyrat nga licencat e bizneseve, në zyrën urbanizmit dhe kadastrës, zyrës së pronës dhe qirasë, zyrës së taksave administrative dhe participimit të shkollave. Për më shumë, nuk i është ofruar as lista e kontratave të qerase për vitin 2011.

Komuna e Istogut më shumë ka buxhet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve se niveli i përgjithshëm i të hyrave vjetore që realizon ky institucion. Për mallra dhe shërbime, Komuna e Istogut gjatë vitit 2012 ka pasur në dispozicion mbi 974.000 euro, përderisa për periudhën e njëjtë të hyra komunale janë realizuar 772.000 euro. Rënia e të hyrave nuk është përcjellë edhe me rënien e shpenzimeve. Krahasimi i shpenzimeve mes vitit 2011 dhe atij 2012 rezulton me rritje enorme të shpenzimeve gjatë 2012 në shumicën e kategorive. Kësisoj, gjatë vitit 2011 për mirëmbajtjen e veturave janë shpenzuar 27.193 euro, ndërsa në 2012 në të njëjtën kategori rezultojnë të shpenzuara 43.458 euro. Për derivate për automjete në vitin 2011 janë shpenzuar 73.753 euro, ndërsa më 2012 janë shpenzuar 129.512 euro për këtë kategori. Marrë në tërësi, Komuna e Istogut gjatë dy viteve të fundit (2011-2012) vetëm për derivate për automjete ka shpenzuar 203.265 euro, për mirëmbajtjen e veturave gjatë të njëjtës periudhë janë shpenzuar 70.741 euro, për dreka e darka 34.971 euro, për telefona mobil dhe fiks 34.663 euro.   

Opozita në Kuvendin komunal ka arritur t’i evidentojë dhe evitojë disa parregullsi dhe keqpërdorime të synuara nga ana e ekzekutivit komunal. Kësisoj, Komuna e Istogut pas pasojave që ka pasur nga era e fuqishme që ka përfshirë këtë komunë në janar të vitit 2012 ka ndarë mjete për banorët e prekur mbi baza të preferencave personale e partiake. Kjo është evidentuar nga një komision i Kuvendit Komunal i cili pas punës në terren ka dorëzuar një raport me rastet e gjetura dhe pas kësaj janë bërë përmirësime nga ana e ekzekutivit. 

Në këtë raport, i cili mbulon zhvillimet rreth politikave publike në Komunën e Istogut për periudhën maj 2010 – dhjetor 2012, Instituti GAP ka përmendur problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët, ka analizuar performancën buxhetore, investimet kapitale, aktivitetet e prokurimit publik, gjendjen në administratë, arsim, transparencën e Komunës, si dhe ka matur realizueshmërinë e premtimeve të dhëna nga Kryetari i Komunës gjatë fushatës zgjedhore të 2010.