Sot, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, të mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë, kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë prezantuar gjetjet e raportit “Mes ambicies dhe realitetit: formimi i ndërmarrjeve të reja publike lokale në Kosovë”
Ky raport nxjerr në pah qasjen e udhëheqësve të komunave që të themelojnë më shumë ndërmarrje publike lokale (NPL), me arysetimin e zhvendosjes të më shumë shërbimeve publike nga operatorët privat tek ndërmarrjet publike lokale. Kjo ndodh edhe përkundër që, deri më tani ndërmarrjet publike në Kosovë janë shoqëruar me vështirësi të mëdha operacionale e financiare.
Në pesë vitet e fundit, 13 komuna të Kosovës kanë themeluar ndërmarrje publike lokale, pas aprovimit të kërkesës së tyre në qeveri. Në anën tjetër, aktualisht ekzistojnë 55 ndërmarrje publike lokale, ku 42 nga to janë të trashëguara nga periudha e paraluftës. Po ashtu, edhe gjashtë komuna kanë parashtruar kërkesë për themelim të ndërmarrjeve të reja lokale. Marrë parasysh se performanca e ndërmarrjeve publike, qoftë të atyre qendrore, rajonale apo lokale, në vazhdimësi ka qenë jo e kënaqshme, nisma për të themeluar më shumë ndërmarrje do të duhej të shoqërohej me diskutime përmbajtësore duke analizuar drejt përparësitë kundrejt bashkëpunimit me sektorin privat.
Nga analizimi i disa prej NPL-ve të themeluara, ky raport gjen se edhe pas themelimit të tyre, disa komuna vazhdojnë të angazhojnë edhe operatorë privatë për të mbuluar shërbimet e njëjta që edhe ato vetë ofrojnë. Gjetjet tjera tregojnë se kërkesat e komunave për themelim të ndërmarrjeve publike lokale të reja nuk shoqërohen edhe me studime të detajuara të fizibilitetit, që të vlerësojnë mundësitë, aftësitë, sfidat dhe rreziqet të një nisme të tillë publike. Po ashtu, baza rregullative në fuqi që trajton NPL-të, specifikon se komuna nuk menaxhon direkt me ndërmarrjen e krijuar dhe ndërmarrja duhet të ndërtohet dhe përfaqësohet si subjekt i veçantë juridik. Të dhënat e analizuara tregojnë se në disa raste, komunat i mbulojnë drejtpërdrejt disa shpenzime rrjedhëse të NPL-ve të themeluara.
Nga analizimi i dokumenteve, vërehet se komunat nuk kryejnë matje të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e ofruara, për të mbështetur argumentin e tyre se operatorët privatë nuk po arrijnë të ofrojnë shërbime cilësore. NPL-të e themeluara çalojnë ndjeshëm qoftë në kritere të ulëta të transparencës, por edhe në shkallën e ulët të punësimit të grave. Me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendjeje, raporti i publikuar ofron edhe rekomandime për Qeverinë e Kosovës, komunat dhe ndërmarrjet publike lokale, siç janë plotësim-ndryshimi i Rregullores mbi kriteret e për krijimin e NPL-ve, sigurimi i burimeve të nevojshme profesionale e financiare për të krijuar një NPL, rritja e transparencës së NPL-ve, etj.
Raportin e plotë mund të shkarkoni duke klikuar këtu.
Projekti “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” financohet nga Ministria e Punëvetë Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe jodomosdoshmërisht perfaqëson qëndrimet e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit.