Sfidat dhe mundësitë e qasjes në treg për bizneset në pronësi të grave dhe komuniteve pakicë në Kosovë

21/02/2024

Instituti GAP publikon raportin hulumtues të titulluar "Sfidat dhe mundësitë e qasjes në treg për bizneset në pronësi të grave dhe komuniteve pakicë në Kosovë", i mbështetur nga USAID përmes Aktivitetit Zhvillimi Gjithëpërfshirës Ekonomik, të zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF). Ky publikim ofron një analizë të thellë të mundësive dhe barrierave me të cilat përballen ndërmarrjet në pronësi të grave dhe të pakicave në Kosovë, me fokus të veçantë në pasojat e pandemisë COVID-19.

Gjetjet e raportit zbulojnë sfida të rëndësishme që këto biznese hasin në qasjen në treg, duke përfshirë pengesat financiare, vështirësitë në krijimin e partneriteteve me shitësit e mëdhenj, dhe ndikimin e stereotipeve gjinore. Pavarësisht këtyre pengesave, rëndësia e ofertave unike dhe konkurruese të produkteve është theksuar si një faktor kyç për arritjen e një pranie të qëndrueshme në treg për bizneset në pronësi të grave dhe të komuniteve pakicë.

Për më tepër, raporti nxjerr në pah rritjen e prezencës digjitale të bizneseve në pronësi të grave dhe të komuniteve pakicë pas pandemisë, së bashku me një mangësi të theksuar në aftësitë e marketingut dixhital midis këtyre grupeve. Ndikimi shumëdimensional i pandemisë Covid-19, duke krijuar sfida për bizneset ekzistuese por në ndërkohë duke krijuar mundësi për ndërmarrjet e reja të sapokrijuara, është shqyrtuar gjithashtu në këtë punim.

Në përgjigje të këtyre gjetjeve, Instituti GAP propozon disa rekomandime drejtuar qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, si dhe organizatave ndërkombëtare dhe vendore. Këto përfshijnë kryerjen e analizave të tregut për të identifikuar sektorët potencialë për rritje, promovimin e ndërmarrësisë tek gratë dhe komunitet pakicë si dhe sigurimin e qasjes gjithëpërfshirëse në prokurimin publik. Përveç kësaj, sigurimi i burimeve financiare, pajisjeve dhe asistencës të përshtatur sipas nevojave, së bashku me mbështetjen për tejkalimin e barrierave për anëtarësimin në shoqatat e biznesit, janë ndër masat e sugjeruara për të rritur qasjen në treg për këto biznese.

Publikimi i Institutit GAP thekson thirrjen për palët e interesuara në fushën e ndërmarrësisë për të marrë pjesë aktive në formësimin e një ekosistemi ekonomik që promovon gjithëpërfshirjen.

Raporti i plotë mund të qaset për informacion të detajuar këtu.