Funksionimi i lojërave shpërblyese në Kosovë në mungesë të kontrollit ligjor

29/03/2024

Sot, Instituti GAP publikoi analizën “Funksionimi i lojërave shpërblyese në Kosovë në mungesë të kontrollit ligjor”.

Aktualisht, bizneset në Kosovë organizojnë lojëra të ndryshme shpërblyese, e të cilat nuk monitorohen nga ndonjë institucion shtetëror. Deri më 10 maj 2019, organizimi i këtyre lojërave ishte i rregulluar nga Ligji për lojërat e fatit. Sipas këtij ligji, për organizimin e lojërave shpërblyese, bizneset duhet të merrnin leje nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e cila monitoronte ngjarjet për ndarjen e shpërblimeve, që nuk mund të tejkalonin vlerën prej një mijë euro. Por, me shfuqizimin e këtij ligji, organizimi i lojërave shpërblyese nga bizneset mbeti i pa rregulluar. Tani, organizimi i këtyre lojërave dhe vlera e shpërblimeve janë në përgjegjësi të vetë bizneseve, pa ndonjë monitorim nga institucionet shtetërore.

Nga një përllogaritje e Institutit GAP, bazuar në të dhënat e qasshme online, gjatë periudhës 2009-2023 janë identifikuar shpërblime kryesore në vlerë rreth 2.7 milionë euro duke përfshirë banesa, vetura dhe shuma parash. Krahasuar me periudhën para vitit 2019, kur organizimi i lojërave shpërblyese monitorohej nga ATK, pas këtij viti janë premtuar 16 herë më shumë shpërblime për konsumatorë, ku vlera e shpërblimeve të ndara është për 12 herë më e lartë. Sipas analizës, vetëm gjysma (54%) e shpërblimeve kryesore të parapara të ndahen janë bërë transparente për publikun, ku shpërblimet janë ndarë qoftë në ngjarje direkte të transmetuara në televizione kombëtare, rrjete sociale, apo duke përdorur ndonjë formulë që bën përzgjedhje të rastësishme të fituesve.

Të pa monitoruara mbesin edhe programet e besnikërisë të krijuara nga bizneset, përmes të cilave po ashtu ndahen shpërblime për konsumatorët. Edhe pse këto të fundit paraqesin më pak pasiguri krahasuar me lojërat shpërblyese - për shkak se mekanizmat për ndarjen e shpërblimeve dihen paraprakisht dhe edhe vetë konsumatorët mund të monitorojnë pikët apo benefitet e grumbulluara të tyre etj. - në periudhën 2021-2023, tek Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë janë dorëzuar 12 ankesa pikërisht rreth programeve të besnikërisë.

Një situatë e tillë, me hendek ligjor dhe mungesë të transparencës, rrit mundësitë që disa biznese të mos bëjnë shpërndarje të drejtë të shpërblimeve, përderisa i rrisin fitimet e tyre, qoftë edhe duke paguar më pak tatim në fitim, meqë shpenzimet për lojëra shpërblyese janë tërësisht të zbritshme për qëllime tatimore. Instituti GAP rekomandon që institucionet publike në Kosovë të marrin masa për të mënjanuar shfrytëzimin e mungesës së bazës ligjore nga bizneset që organizojnë këto lojëra, për të siguruar llogaridhënie, transparencë dhe drejtësi në ndarjen e shpërblimeve për konsumatorët.

Analizën e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.