Sot, Instituti GAP organizoi tryezë diskutimi ku publikoi gjetjet e raportit “Nevoja për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”.
Rrona Zhuri nga Instituti GAP, prezantoi gjetjet e raportit ku theksoi se institucionet e pavarura fiskale të themeluara në shumë vende të botës luajnë një rol të rëndësishëm në monitorimin e politikave fiskale, mbajtjen e stabilitetit fiskal dhe përgatitjen/monitorimin e parashikimeve makroekonomike. Në Kosovë, ndër vite janë shfaqur sfida në proceset buxhetore dhe fiskale si mospërputhja e dokumenteve buxhetore afatmesme me ato vjetore dhe vlerësimi buxhetor i politikave të reja pa ndonjë analizë më të thellë. Instituti GAP propozon tri opsione të mundshme për themelimin e një institucioni fiskal të pavarur në Kosovë: 1) institucion fiskal i pavarur si institucion i ndarë, 2) zyrë parlamentare në kuadër të Kuvendit të Kosovës, ose 3) institucion fiskal në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për më shumë, themelimi i një institucioni të tillë duhet të bëhet sipas kërkesave minimale të caktuara nga direktivat e Komisionit Evropian, si dhe parimeve kyçe të caktuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), të ketë pavarësi të plotë duke pasur edhe procese të rekrutimit të paanshme, si dhe të përfshihet themelimi i tij në proceset e buxhetit.
Znj. Sanja Madzarevic, Ekonomiste e lartë për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, theksoi se parimet me të cilat duhet të funksionojnë institucionet e pavarura fiskale janë pavarësia, komunikimi i hapur dhe llogaridhënia, si dhe qasja e hapur në informata. Z.Abdylmenaf Bexheti, Anëtar i Këshillit Fiskal të Maqedonisë së Veriut, vlerësoi se Kosova ka avantazh ta themelojë një këshill fiskal për shkak edhe të hapësirës së madhe fiskale, pra borxhit të ulët publik. Pavarësia, integriteti, kompetencat dhe profesionalizmi i personave të zgjedhur për të vepruar në këtë institucion duhet të jetë kyç. Znj. Hykmete Bajrami, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, theksoi se para themelimit të një institucioni të tillë, duhet të ketë debat të gjerë publik, që të arrihet konsensus dhe zotim, që rekomandimet që do të jepen do të merren parasysh. Znj. Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, shtoi se shteti duhet të ketë të dhëna të sakta për një menaxhim në të mirë të buxhetit të shtetit dhe se Kosova duhet t’i forcojë mekanizmat ekzistues për më shumë kontrolle buxhetore.
Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.