Sot, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, të mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë, kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë prezantuar gjetjet e raportit “Sfidat në dhënien e subvencioneve dhe granteve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe digjitializimi si instrument për rritjen e efikasitetit”.
Ky raport trajton rëndësinë e digjitalizimit të procesit të dhënies së granteve dhe subvencioneve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
MKRS është një ndër ministritë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione. Procesi i ndarjes së këtyre fondeve nga kjo ministri, duke filluar nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve ka shfaqur sfida të ndryshme përgjatë viteve. Këto sfida kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS.
Në këtë raport janë analizuar 51 thirrje të hapura nga MKRS gjatë një periudhe tre vjeçare (2021-2023), dhe bazuar në këto të dhëna, si dhe në përvojat e aplikuesve/ përfituesve, janë identifikuar disa sfida në procesin aktual të dhënies së granteve dhe subvencioneve. Raporti gjen se koha e vlerësimit të aplikuesve nga momenti i mbylljes së thirrjeve e deri tek shpallja e fituesve, është 48.8 ditë pune. Ndërsa, ligjërisht është e përcaktuar se kjo duhet të ndodhë për 15 ditë. Sfidat tjera që janë identifikuar në këtë proces janë: objektiva të thirrjeve që janë sipërfaqësore dhe të përgjithshme, mospërputhje të karakteristikave të përfituesve me kriteret e thirrjes, mungesa e transparencës gjatë proceseve të vlerësimit, etj. Në fazën e zbatimit dhe monitorimit të projekteve përfituese, problemet kryesore janë vonesat në nënshkrimin e kontratave, e që rrjedhimisht ndikojnë në realizimin e projekteve, si dhe mungesa e monitorimit të zbatimit të projektve për shkak të mungesës së burimeve njerëzore në MKRS.
Përmes një platforme digjitale, do të rritej transparenca dhe llogaridhënia në proceset e ndarjes së subvencioneve, si dhe këto procese do të bëheshin më efikase dhe efektive, duke kursyer në kohë dhe kosto financiare. Aplikuesit do të ngarkonin të gjitha dokumentet online, duke mos pasur kosto të aplikimit, si dhe MKRS do të bënte një vlerësim më efikas, duke i pasur të gjitha dokumentet në verzion digjital në një vend. Për më shumë, do të krijohej historiku për të gjithë aplikuesit, e që i lehtëson procedurat e aplikimeve në thirrje të ardhshme. Po ashtu, marrë parasysh sfidat dhe mungesën e kapaciteteve njerëzore në monitorimin e zbatimit të projekteve, digjitalizimi do të lehtësonte procesin e monitorimit, duke mundësuar që aktivitetet e zhvillimit të projekteve përfituese të dokumentoheshin përmes fotove/videove dhe të ngarkoheshin në sistem, pa pasur nevojë që të gjitha të monitorohen në terren.
Raportin e plotë mund të shkarkoni duke klikuar këtu.
Me respekt,
GAP, GLPS dhe INDEP
Projekti “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” financohet nga Ministria e Punëvetë Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe jodomosdoshmërisht perfaqëson qëndrimet e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit.