Instituti GAP dhe Helvetas/Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS) prezantuan sot raportin “Planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2025”, në të cilin është analizuar faza fillestare e hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm në 15 komuna. Prezantimi u bë gjatë një tryeze diskutimi, në të cilin morën pjesë përfaqësues të komunave që ishin pjesë e këtij raporti si dhe përfaqësues të donatorëve.
Duke prezantuar gjetjet e raportit, Bekim Salihu nga Instituti GAP tha se pjesa më e madhe e komunave që janë pjesë e këtij raporti shpenzojnë gjysmën e buxhetit të tyre (rreth 50%) në paga dhe mëditje, ndërsa te investimet kapitalee, këto komuna kanë planifikuar të realizojnë 670 projekte kapitale, për të cilat do të ndahet buxhet prej 88 milionë euro. Nga to, vetëm 17 milionë (19.3%) do të shkojnë në projekte të reja, ndërsa 71 milionë euro (80.7%) do të përdoren për projekte që janë vazhdimësi nga viti 2024. Po ashtu, referuar analizës së bërë, nuk vërehet një ndërlidhje e qartë e buxhetit vjetor të komunave me prioritetet afatmesme. Gjithashtu shumica e komunave nuk kanë paraqitur rreziqet buxhetore për vitin 2025, përfshirë detyrimet kontingjente të trashëguara dhe ato që mund të lindin nga vendimet gjyqësore.
“Pozitive është se shumica e projekteve janë planifikuar jashtë qendrave të qyteteve, duke përfshirë edhe lokalitete të banuara me minoritete. Ndërkaq, nga analizimi i dëgjimeve buxhetore dhe Kornizat Afatmesme Buxhetore (KAB) të miratuara, vërehet një pjesëmarrje e ulët e qytetarëve në to, ku hendeku gjinor i përfaqësimit në këto konsultime ende mbetet i lartë, me shumicën e pjesëmarrësve burra. Por, një hap pozitiv i komunave në lidhje me dëgjimet buxhetore është pranimi dhe përfshirja e një numri të kërkesave të qytetarëve në planfikimin buxhetor për vitin vijues”, theksoi Salihu.
Drilon Shala përfaqësues i projektit DEMOS, foli për mbështetjen që ka ofruar projekti në përmirësimin e kapaciteteve të komunave në planifikimin buxhetor, përmirësimin e qasjes në informacione publike dhe angazhimin e qytetarëve në procese vendimmarrëse. “Këto përpjekje kanë synuar veçanërisht përfshirjen dhe integrimin e kërkesave të qytetarëve, e posaçërisht grupeve të margjinalizuara në planifikimin buxhetor komunal”, shtoi ai.
Durim Halilaj nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, veçoi disa nga sfidat që komunat i hasin sidomos në planifikimin e hershëm buxhetor ku përveç afateve kohore të shkurtra, përfshihen edhe kontratat kolektive sidomos në sektorin e arsimit dhe shëndetësi si dhe ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP). Ai gjithashtu shtoi se komunat kanë treguar progres të mirë në rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në dëgjime buxhetore/buxhetim me pjesëmarrje.
Në tryezën e diskutimit kontribuan edhe zyrtarë komunal nga drejtoritë për financa dhe buxhet si dhe akterë të tjerë. Përveç kësaj analize, Instituti GAP dhe Helvetas/DEMOS gjatë muajve të ardhshëm do të përgatisin edhe një raport gjithëpërfshirës lidhur me praktikat e komunave për shpërndarjen e buxhetit për investime kapitale në lokalitete dhe fshatra gjatë periudhës 2018-2023, si dhe do të publikojnë infografikën krahasuese për premtimet zgjedhore bazuar në fushat e përmbushura.
Raportin mund ta gjeni duke klikuar Këtu.