OpEd: A ka nevojë Kosova për ndërmarrje të reja publike?

22/12/2022

ë një vend si Kosova me më pak se 11 mijë kilometra katrorë e më pak se 1.8 milionë banorë funksionojnë 72 ndërmarrje publike. Numri më i madh i tyre janë ndërmarrje publike lokale, gjithsejtë 52, 11 ndërmarrje publike me shtrirje nacionale dhe nëntë të tjera ndërmarrje regjionale.

 

Ndërmarrjet publike me shtrirje nacionale mbulojnë pjesë të rëndësishme të shërbimeve publike për qytetarë, si furnizimi me ujë, menaxhim të mbeturinave, prodhimi i energjisë elektrike, transporti dhe telekomunikacioni. Ndërmarrjet regjionale janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të ujit për konsumatorët në shtatë regjionet përkatëse, ndërsa dy të tjera janë të ngarkuara me përgjegjësinë e menaxhimit të ujitjes për toka bujqësore. Ndërmarrjet rajonale janë të themeluara për ofrimin e shërbimit të menaxhimit të mbeturinave. Disa kompani në emërtimin e tyre kanë fjalën “regjionale” e disa të tjera “rajonale”, por që në të dy rastet nënkuptohet me kompani të cilat shërbimin e tyre e shtrijnë në dy e më tepër komuna.

Hyrja ose edhe dalja e komunave brenda shërbimit të ndërmarrjeve rajonale për mbeturina është e vullnetshme, ndërsa ky parim nuk vlen për hyrjen ose jo të tyre në ombrellën e ndërmarrjeve regjionale të ujësjellësit, ngase ligjet në Kosovë nuk e njohin komunën si autoritet që menaxhon me ujin dhe burimet e saj.

Por, përkundër këtij numri të ndërmarrjeve, sërish ka kërkesa të vazhdueshme të komunave për krijimin e ndërmarrjeve të reja publike. Vetëm në vitin e kaluar, shtatë komuna kanë parashtruar kërkesë pranë Ministrisë së Ekonomisë (ME) për themelim të ndërmarrjeve publike lokale. Në periudhat e mëhershme nga kjo ministri janë pranuar edhe 15 kërkesa të tjera që janë parashtruar nga komunat për të njëjtat arsyeje. Kërkesat e komunave kanë të bëjnë kryesisht me themelimin e ndërmarrjeve që do të merren me menaxhimin e mbeturinave ose hapësirave publike.

 

Bazuar në Ligjin për kryeqytetin, vetëm Komuna e Prishtinës e ka të drejtën që të themelojë ndërmarrje publike pa u konsultuar me nivelin qendror. Komunat e tjera duhet t’u nënshtrohen një sërë procedurash që kryesisht lidhen me arsyeshmërinë e kërkesës për themelimin e ndërmarrjeve të reja publike.

Themelimi i ndërmarrjeve publike lokale është i rregulluar me Rregulloren për krijimin e ndërmarrjeve publike lokale. Në mesin e kritereve janë edhe paraqitja e një plani të biznesit dhe buxhetit që përfshijnë shpjegimet për qëndrueshmërinë ekonomike dhe operative të ndërmarrjes.

Në pesë vjetët e fundit Qeveria ka aprovuar pesë kërkesa të komunave për themelimin e ndërmarrjeve të reja lokale. Vendimi i fundit për themelimin e ndërmarrjeve publike është ai i nëntorit të këtij viti, kur ME ka aprovuar kërkesën e Komunës së Pejës për themelimin e një ndërmarrjeje, e cila do të kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve komunale. Qeveria ende nuk ka marr vendimin përfundimtar.

Përjashto ndërmarrjen publike “Prishtina Parking” dhe ndërmarrjen “Higjiena” në Deçan, asnjëra nga tetë ndërmarrjet e tjera të krijuara në pesë vjetët e fundit nuk ka faqe zyrtare në internet. Është e pamundur të kuptohet për performancën e këtyre ndërmarrjeve. Përveç kësaj, edhe në raportet zyrtare gjashtëmujore dhe vjetore që paraqesin këto komuna para kuvendeve komunale nuk përfshihen të dhëna lidhur me mënyrën e funksionimit dhe performancën e këtyre ndërmarrjeve.

Por përkundër asaj se një nga kriteret bazë për të krijuar një ndërmarrje të re lokale është edhe qëndrueshmëria financiare, këtë test nuk e kalojnë as ndërmarrjet më të mëdha qendrore. Shumica e ndërmarrjeve publike operojnë me humbje. Qëllimi i funksionimit të ndërmarrjeve publike është ofrimi i shërbimeve bazike dhe jo krijimi i profitit, por një menaxhim më i mirë do ta largonte nevojën për subvencionim të vazhdueshëm të ndërmarrjeve.

Por a ka nevojë për të gjitha ndërmarrjet publike aktuale dhe për krijimin e ndërmarrjeve të reja? Për këtë do duhej të kryhej një studim fizibiliteti nga Qeveria për të parë funksionet e ndërmarrjeve publike dhe nëse pjesë të tyre mund të fuzionohen me ndërmarrje të tjera. Për shembull, nëse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është ndërmarrje publike për prodhim të energjisë, përse edhe prodhimi i energjisë që menaxhohet nga ndërmarrja “Ibër-Lepenci” nuk kalon në menaxhim të KEK-ut? Pse duhet të jetë edhe më tej aktive Ndërmarrja e re Energjetike e Kosovës, e cila pas anulimit të tenderit për ndërtimin e Kosova e Re tani më nuk ka asnjë qëllim? Ose a mund të funksionojnë si një e vetme ndërmarrjet Infrakos dhe Trainkos, kur njëra operon me rrjetin e hekurudhave, kurse tjetra me shërbimin e trenave?

Po ashtu, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike do të duhej të luajë rol më aktiv sa i përket rritjes së performancës së ndërmarrjeve publike. Në vend se të krijohen ndërmarrje të reja lokale, strategjia e institucioneve do të duhej të ishte fuqizimi dhe reformimi i ndërmarrjeve ekzistuese, zgjerimi i rrjetit të operimit dhe një vendimmarrje më e drejtë në bordet e ndërmarrjeve që operojnë në dy e më tepër komuna.

(Ky publikim është pjesë e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe INDEP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe të organizatave zbatuese)