Instituti GAP, në kuadër të projektit me Partneritetin Ndërkombëtar Buxhetor (International Budget Partnership) me përkrahjen e Komisionit Evropian, hap thirrjen për ciklin e shtatë të shkrimeve analitike për studentët e nivelit baçelor dhe master në Kosovë. Kjo garë synon nxitjen e studentëve për përfshirje në studimin e politikave publike në Kosovë duke shpërblyer me çmime punën e tyre.
Tema e përgjithshme është: “Roli i përfshirjes qytetare në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në proceset buxhetore në Kosovë”
Informimi rreth proceseve buxhetore dhe hapësira për t’u angazhuar në këto procese janë të një rëndësie të lartë dhe sigurojnë që nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të një vendi të përmbushen. Performanca e Kosovës në transparencën buxhetore është e ngjashme me atë të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe pak më e mirë se performanca globale, matur sipas indekseve ndërkombëtare. Sa i përket pjesëmarrjes publike, Kosova nuk performon mirë dhe ka punë për të bërë drejt angazhimit të publikut në faza të ndryshme të proceseve buxhetore.
Çështjet që duhet të trajtohen dhe analizohen brenda shkrimeve analitike, duke përfshirë edhe aspekte dhe perspektiva të ndryshme të tjera që lidhen me temën:
“Si funksionon procesi i hartimit të buxhetit në Kosovë, sipas legjislacionit në fuqi? Cilat janë praktikat e mira të proceseve buxhetore që kontribuojnë në rritje të llogaridhënies dhe transparencës sipas standardeve ndërkombëtare? Cili është roli i përfshirjes së qytetarëve dhe organizatave jo-qeveritare në të gjitha fazat e proceseve buxhetore?”
Inkurajoheni të krijoni temën tuaj origjinale dhe argumentet tuaja duke u bazuar në pyetjet e cekura më lartë apo çështje tjera që lidhen me temat e listuara.
Udhëzimet për aplikim
- Autorët e shkrimeve duhet të jenë studentë të nivelit baçelor ose master;
- Shkrimet duhet të jenë origjinale dhe të pabotuara. Shkrimet e plagjiarizuara do të refuzohen;
- Shkrimet duhet të shkruhen nga një apo dy autorë. Shkrimet e shkruara nga më shumë se dy bashkë-autorë nuk do të pranohen;
- Shkrimet duhet të jenë deri në 1,000 fjalë. Shkrimet më të gjata do të diskualifikohen automatikisht;
- Burimet e të dhënave duhet të citohen brenda tekstit/me fusnotë. Nuk ka nevojë për listë referencash;
- Shkrimet duhet të dërgohen në format Word MS, në emailin info@institutigap.org. Po ashtu, duhet të bashkangjitni kopjen e skanuar të kartelës studentore apo ndonjë dëshmi tjetër që tregon se jeni student/e në ndonjërin prej institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë në kohën e dorëzimit të shkrimeve.
- Në titullin e emailit (Subject) shkruani “Gara me shkrime - Emri dhe Mbiemri”.
- Afati i fundit për dorëzim të shkrimeve është më 06 dhjetor 2024 në mesnatë.
- Shkrimet e dorëzuara pas afatit të përcaktuar nuk do të merren parasysh.
Formati i shkrimeve
- Hyrje
o Paragrafi hyrës duhet të përfshijë tezën apo qëllimin e shkrimit, duke i njoftuar lexuesit rreth temës kryesore të tij. Nuk duhet përdorur të dhëna ose fakte thelbësore që mbështesin argumentet tuaja në këtë seksion.
- Përmbajtja
o Vendosni të gjitha të dhënat dhe faktet këtu. Organizoni idetë në sa më shumë paragrafë të nevojshëm që mbështesin tezën apo qëllimin e shkrimit tuaj. Nëse keni tri argumente, shkruani ato në tre paragrafë duke i radhitur sipas rëndësisë dhe potencialit për t’i mbështetur ato.
- Përfundimi
o Mos vendosni informacione apo të dhëna të reja në këtë paragraf. Vetëm përmblidheni mirë shkrimin duke ripërmendur argumentet kryesore të tij dhe duke sinjalizuar fundin e tij apo duke bërë një "thirrje për veprim" nëse shkrimi juaj do të shkruhet në atë mënyrë që të bind lexuesit të veprojnë kundrejt diçkaje.
Vlerësimi i shkrimeve
Paneli vlerëson në mënyrë të pavarur të gjitha shkrimet në bazë të kritereve të mëposhtme:
- Origjinaliteti në temat e trajtuara
- Përdorimi i të dhënave në mënyrë të drejtë/ Saktësia e të dhënave
- Cilësia dhe thellësia e hulumtimit
- Stili i shkrimit, gramatika, drejtshkrimi, pikësimi dhe citimi
Çdo anëtar/e i/e panelit do të vlerësojë përmbajtjen e përgjithshme me pikë dhe tri shkrimet me pikët më të larta do vlerësohen me çmime. Vlerësimi bëhet nga Instituti GAP.
Vetëm fituesit e tri vendeve të para do të lajmërohen.
Çmimet
Vendi i parë: 250 Euro dhe mirënjohje
Vendi i dytë: 200 Euro dhe mirënjohje
Vendi i tretë: 150 Euro dhe mirënjohje
Për formatin PDF kliko këtu.