Letërnjoftimi i Komunës së Podujevës 2013

18/04/2013

Instituti GAP publikon raportin e 24 me radhë për qeverisjen komunale pas zgjedhjeve lokale të 2009

“Letërnjoftimin e Komunës së Podujevës 2013” mund ta lexoni duke klikuar këtu;
Komuna e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) gjatë tri viteve të fundit, 2010-2012, është karakterizuar me një qeverisje më dinamike krahasuar me periudhat e mëhershme, por problemet mbesin evidente në shumë fusha të jetës. Kushtet në disa shkolla janë jo të mira, mungon uji i pijes në shumë zona, si dhe gjatë këtyre tri viteve të fundit në disa raste është vërejtur pasivitet i organeve komunale për t’i adresuar nevojat dhe shqetësimet e qytetareve nga disa vendbanime të Podujevës. 

Gjatë tri viteve të kaluara janë hasur shpenzime të mëdha të parasë publike në disa kategori. Është evidentuar nivel tejet i lartë i shpenzimit të parasë nga Komuna e Podujevës për mbeturina si dhe karburante për gjenerator, për vetura, naftë për ngrohje, telefona mobil dhe fiks si dhe në mirëmbajtjen e veturave zyrtare. Kësisoj, Podujeva për një vit paguan deri në 103.000 euro për energji elektrike, shumë kjo e përafërt me shpenzimet që bën komuna për t’i paguar faturat e mbeturinave. Gjatë këtyre tri viteve, Komuna e Podujevës ka shpenzuar 70.853 euro për karburant për gjenerator, 251.318 euro naftë për ngrohje, 67.283 euro për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve, 106. 810 euro për tefefona mobil dhe fiks, dhe 262.170 euro karburant për vetura. Kryetari dhe nënkryetari i Podujevës banojnë në Prishtinë dhe për çdo ditë me veturë zyrtare udhëtojnë nga Prishtina për në Podujevë dhe anasjelltas. 

Komuna e Podujevës qëndron më së keqi në krahasim me komunat e mëdha të vendit për sa i përket përfaqësimit të femrës në pozitat e punës. Përveç që nuk është emëruar ndonjë femër për të udhëhequr ndonjërën nga dhjetë drejtoritë, numri i femrave është i vogël edhe në dikasteret tjerë të Komunës, ku nga 262 të punësuar në Komunën e Podujevës vetëm 46 prej tyre janë femra. Numri i femrave të punësuara është i vogël edhe në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor të kësaj komune. Megjithatë, kjo komunë ka shënuar progres në disa aspekte, sikurse përmirësimi i dukshëm i pamjes së qytetit, rregullimi i infrastrukturës  rrugore, rritja e transparencës komunale ndaj qytetarëve, etj. 

Në këtë raport, i cili mbulon zhvillimet rreth politikave publike në komunën e Podujevës për periudhën janar 2010 - shtator 2012, Instituti GAP ka përmendur problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët, ka analizuar perfomancën buxhetore, investimet kapitale, aktivitetet e prokurimit publik, gjendjen në administratë, arsim dhe shëndetësi, transparencën e Komunës, si dhe ka matur realizueshmërinë e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore 2009.