Ndërlidhja e premtimeve zgjedhore me treguesit e performancës komunale

10/04/2025

Instituti GAP dhe Helvetas/Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia, publikuan sot raportin “Ndërlidhja e premtimeve zgjedhore me treguesit e performancës komunale”, raport ky që ka për qëllim të tregojë nëse ekziston lidhje ndërmjet premtimeve zgjedhore të kryetarëve të komunave, në 14 komuna të Kosovës, dhe treguesve të Sistemit të Performancës Komunale (SPMK) që është ndërtuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Të dy këto procese (premtimet zgjedhore dhe treguesit e SPMK-së) konsiderohen mekanizma kryesor që ndihmojnë në monitorimin dhe vlerësimin e punës së pushtetit lokal në Kosovë. Raportimi i komunave në SMPK është një proces i detyrueshëm, i bazuar në ligj dhe ka mekanizma të ndërtuara që merren me menaxhimin, vlerësimin dhe verifikimin e të dhënave që bëjnë komunat. Në anën tjetër, kandidatët për kryetarë të komunave në Kosovë nuk janë të obliguar ligjërisht të japin premtime zgjedhore. Premtimet janë një zgjedhje e lirë e këtyre kandidatëve varësisht se në cilat fusha, projekte ose probleme mendojnë se është më mirë të fokusohen. Për më shumë, nuk ekziston monitorim institucional për të vlerësuar nëse premtimet e dhëna po përmbushen ose jo, siç është rasti me treguesit e SMPK që vlerësohen nga MAPL. SMPK ofron një qasje sistematike dhe të matshme të performancës komunale, ku komunat shpërblehen ose jo me grant të performancës, ndërsa për premtimet zgjedhore nuk ekziston ndonjë shpërblim apo ndëshkim për përmbushjen apo mospërmbushjen e tyre; përjashtimisht efekteve në perceptimin e opinionit publik. 

Nga krahasimi dhe vlerësimi i 14 komunave, pjesë të këtij raporti, rezulton se nga 800 premtime, 166 apo 21% prej tyre kanë lidhje të plotë ose të pjesshme me treguesit e SPMK, ndërsa 634 premtime apo 79% nuk ndërlidhen në asnjë formë me treguesit e SPMK. Tri komunat që kanë ndërlidhjen më të mirë janë Prizreni, Obiliqi dhe Suhareka, ndërsa tri komunat që kanë lidhjen më të ulët janë Vitia, Klina dhe Drenasi. Ndërlidhja mes premtimeve dhe treguesve dhe ndikimi i tyre te granti i performancës, jep rezultate të ndryshme të komunat e ndryshme. Nga 94 tregues gjithsej në SMPK, 35 prej tyre nuk hasen në asnjë premtim zgjedhor. Kjo ndodh për disa arsye, por kryesisht dominon shkaku se shumica e këtyre treguesve lidhen me procese administrative dhe teknike të menaxhimit komunal, të cilat nuk konsiderohen si "tërheqëse" nga perspektiva e fushatës zgjedhore dhe që do të rrisnin gjasat për marrjen e më shumë votave. Kandidatët për kryetarë të komunave, në vend të premtimeve rreth proceseve të brendshme administrative, zakonisht preferojnë të fokusohen në premtime më të prekshme dhe të dukshme.

Raportin mund ta gjeni duke klikuar këtu.