Letërnjoftimi i Komunës së Gjilanit 2013

03/05/2013

Instituti GAP publikon raportin e 26 me radhë për qeverisjen komunale pas zgjedhjeve lokale të 2009

“Letërnjoftimin e Komunës së Gjilanit 2013” mund ta lexoni duke klikuar këtu:
Që nga zgjedhjet e para lokale në vitin 2000, Gjilani konsiderohej si bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Por pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, komuna e Gjilanit për herë të parë hyri nën qeverisjen e PDK dhe kryetarit Qemajl Mustafa. Z.Mustafa fitoi edhe zgjedhjet lokale të 2009 për një mandat të dytë qeverisës katër vjeçar.

Gjatë fushatës zgjedhore të 2009, një nga reklamat më të përsëritura të z.Qemajl Mustafa ishte ajo e cila i ftonte qytetarët e Gjilanit që të “fotografoheshin duke pasur në prapavijë Gjilanin dhe për ta ruajtur kujtim, ngase për katër vite Gjilani do të marr krejt pamje tjetër.” Mirëpo, pas afro katër viteve të qeverisjes në mandatin e dytë, pamja e Gjilanit është ajo e katër viteve më parë.
Pak muaj pas marrjes së mandatit të dytë, Qemail Mustafa paralajmëron dorëheqje nga posti me arsyetimin se nuk i ka duart e lira për të qeverisur. Ai me këtë ka akuzuar subjektin e tij PDK se ka zgjedhur drejtorët komunalë me imponim, pa e pyetur atë për profilin e tyre. Një muaj pas kësaj, në prill 2010, z. Mustafa paralajmëron sërish dorëheqje, kësaj radhe me arsyetimin se niveli qendror i qeverisjes nuk po e mbështet financiarisht për t’i përmbushur objektivat e parapara zgjedhore. Edhe për kundër këtyre paralajmërimeve, Mustafa nuk u tërhoq nga pozita e të parit të komunës, por vetëm nga Kryesia e PDK-së në Gjilan. 

Kryetari Mustafa është një ndër kryetarët më të përfolur për përzierjet e tij në procedurat e prokurimit dhe lidhjet e tij me bizneset komunale. Qemajl Mustafa, para marrjes së postit të Kryetarit të Komunës, ishte një biznesmen i suksesshëm. Lidhjet e tij formale dhe joformale me bizneset vazhduan edhe pas zgjedhjes së tij si kryetar, disa herë duke rënë ndesh edhe me ligjet në fuqi. Për shkak të këtyre lidhjeve, më 30 maj 2012, Gjykata për Kundërvajtje në Gjilan ka dënuar Qemajl Mustafën me 700 euro për shkak të konfliktit të interesit. 

Administrata komunale e Gjilanit është e mbingarkuar me staf. Për shkak të kësaj, në gusht të 2011, Ministria e Financave nuk kishte lëshuar pagesat për rrogat e stafit të administratës së Gjilanit për më shumë se një javë. Përveç mbingarkesës së stafit administrativ, Komuna e Gjilanit për këto tri vite të qeverisjes ka punësuar së paku 38 punonjës me kontratë mbi vepër, pagat e të cilëve nuk figurojnë në listën e pagave por paguhen nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Komuna e Gjilanit ka angazhuar individë me kontratë mbi vepër për periudha më shumë se tre vjeçare. Për këto pozita nuk ka pasur konkurs të shpallur. Në këtë formë është punësuar edhe gruaja e vëllait të Kryetarit Mustafa, si Zyrtare e Personelit në kuadër të Zyrës së Kryetarit. Kryetari Qemajl Mustafa është kujdesur që të punësojë edhe gruan e tij në kuadër të Drejtorisë së Arsimit, çfarë ka ngjallur reagime publike të partive opozitare dhe mediave. Përveç në administratë, punësimet në baza familjare dhe partiake janë hasur gjerësisht edhe në sferën e arsimit. 

Edhe pse udhëheq me Komunën e Gjilanit, Kryetari Mustafa me banim të përhershëm ndodhet në Prishtinë. Përveç se kjo bie ndesh me Statutin e Komunës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, banimi në një komunë tjetër ka krijuar edhe shpenzime shtesë në karburante, ngase përshkrimi i rrugës Prishtinë-Gjilan dhe anasjelltas bëhet me veturën zyrtare të Komunës. Për tri vite, vetëm vetura e kryetarit të Komunës ka shpenzuar 15.186,6 litra karburante, apo shprehur në vlerë monetare, janë shpenzuar 18.527 Euro. Gjersa e tërë Komuna e Gjilanit për tri vite ka shpenzuar 434.964 euro për karburante për vetura. Shpenzime të mëdha janë bërë edhe në kategorinë e drekave zyrtare (296.277 euro për tri vite), udhëtime dhe mëditje jashtë vendit (144.335 euro për tri vite), etj.

Gjilani ka përmbyllur vitin 2012, duke u kategorizuar si komuna me shkallën më të lartë të borxhit publik, me rënien e nivelit të të hyrave komunale dhe me rritjen e shpenzimeve në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve. 

Gjatë fushatës zgjedhore të 2009, z.Mustafa kishte premtuar së paku realizimin e 25 projekteve të ndryshme. Në bazë të hulumtimit të GAP del se pas tri viteve të qeverisjes në Komunën e Gjilanit, 8 premtime janë përmbushur, 12 tjera nuk janë përmbushur, ndërsa në 5 premtime ka pasur nisma dhe rezultate evidente, por nuk mund të konsiderohen akoma premtime të përmbushura.