Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” vlerësimin përfundimtar rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave të Kosovës për mandatin 2021–2025.
Nga gjithsej 1,815 premtime që kanë dhënë 27 kryetarë të komunave, për këtë mandat janë përmbushur 918 premtime, ndërsa 234 premtime janë gjysmë të përmbushura, 281 premtime janë të filluara dhe 382 premtime nuk kanë filluar ende së zbatuari. Ashtu si në mandatin e kaluar (2017-2021), kur ishin pëmbushur 51% e premtimeve, edhe në mandatin aktual, shkalla e përmbushjes mbetet e njëjtë me 51%.
Sipas fushave, më së shumti janë përmbushur premtimet në shëndetësi (66%), arsim (63%), administratë (58%) dhe në fushën sociale (55%). Ndërsa, më së paku janë përmbushur premtimet në urbanizëm (34%), infrastrukturë (37%) dhe shërbime publike (41%).
Nga 382 premtimet që nuk kanë filluar të përmbushen, 98% e tyre janë përgjegjësi e nivelit lokal, ndërsa vetëm 2% kërkojnë koordinim ndërinstitucional për t’u realizuar.
Në krahasim me mandatet e kaluara, mandati 2021–2025 shënon numrin më të madh të premtimeve të dhëna në zgjedhjet lokale. Konkretisht: në mandatin 2007–2009 janë dhënë 129 premtime, në mandatin 2009–2013 janë dhënë 530 premtime, në mandatin 2017–2021 janë dhënë 930 premtime, ndërsa në këtë mandat janë monitoruar dhe vlerësuar 1,815 premtime.
Në fushatën e fundit zgjedhore, Instituti GAP nuk ka evidentuar asnjë premtim zgjedhor në dhjetë komunat e banuara nga komuniteti serb dhe në Komunën e Mamushës, për shkak se kandidatët për kryetarë në këto komuna nuk kanë dhën premtime gjatë fushatës zgjedhore.
Përmes projektit “Letërnjoftimi i Komunave”, Instituti GAP do të vazhdojë monitorimin e përmbushjes së premtimeve edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës 2025-2029.
Për të parë detajet e premtimeve të dhëna dhe ecurinë e përmbushjes së tyre, mund të vizitoni platformën elektronike të Institutit GAP duke klikuar në këtë link: http://www.komunat.institutigap.org/Premtimet
Infografikat mund t’i gjeni këtu: https://www.institutigap.org/lajme/3520
Instituti GAP përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.