Ekonomia e Vizave – Raport mbi Koston e Vizave për Kosovarët për Periudhën 2010-2012

08/05/2013

Instituti GAP dhe GLPS, sot në prezentim për media publikuan analizën "Ekonomia e Vizave - Raport mbi Koston e Vizave për Kosovarët për Periudhën 2010-2012".

Analizën e plotë, mund ta shkarkoni këtu:
Shkarko dokumentin:

Në këtë analizë GLPS dhe GAP ofrojnë të dhëna statistikore për numrin e aplikantëve për vizë, shkallën e refuzimit, ambasadat në të cilat aplikohet më së shumti, si dhe koston direkte dhe inderekte të vizave.

Kosova është vendi i vetëm në regjionin e Ballkanit Perëndimor ndaj të cilit Bashkimi Europian (BE) aplikon regjimin e vizave. Në anën tjetër, Kosova është vendi më i varfër dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Europë. Përkundër kësaj, kosovarët shpenzojnë më së shumti në Europë për të aplikuar për viza. Për tri vite, 217.862 kosovarë kanë aplikuar për vizë "Shengen": 82.405 në vitin 2010, 67.901 në vitin 2011 dhe 67.556 në vitin 2012. Mbi 17% e aplikantëve për viza refuzohen nga shtetet e zonës "Shengen".

Vetëm për këto tri vite, kosovarët kanë shpenzuar rreth 15 milion euro, prej të cilave 9 milion euro janë shpenzuar për pagesë direkte për vizat në ambasada, kurse së paku 5.8 milion euro janë shpenzime tjera të ndërlidhura me kompletimin e dokumentacionit për vizë, shpenzimet bankare dhe ato të rrugës. Numri më i madh i aplikimeve për vizë "Shengen" është bërë në ambasadën e Gjermanisë dhe të Zvicrës.

Kosova mbetet ende larg nga përmbushja e kushteve për liberalizimin e vizave, andaj kosovarët do të shpenzojnë mjete të konsiderueshme parash edhe gjatë 2013. Nëse shohim trendin e aplikimeve për çdo vit nga viti 2010, mund të pritet se edhe në vitin 2013 më shumë se 65.000 kosovarë do të aplikojnë për viza me një kosto shtesë së paku edhe për 4.5 milion euro.