GAP publikoi raportin: "Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë”

24/10/2025

Instituti GAP, në bashkëpunim me Friedrich-Ebert-Stiftung Kosovo, mbajtën tryezën e diskutimit ku u prezantua raporti Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë.

Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP, foli për rëndësinë e hulumtimeve të cilat japin matje të sakta rreth shkallës së përkrahjes ndaj bizneseve në pronësi të grave dhe komuniteteve pakicë, sfidave dhe kapaciteteve absorbuese të tyre dhe për punën që GAP po e bën në këtë drejtim. Rudina Nallbani - Hoxha, Menaxhere e Programit nga Fondacioni Ebert-Stiftung (FES), theksoi se qëllimi i këtij raporti është të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme mbi mënyrën se si financohen bizneset në pronësi të grave dhe pakicave në Kosovë dhe nënvizoi se fuqizimi i këtyre grupeve, si dhe përfshirja e tyre e plotë në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, përbëjnë një pjesë thelbësore të punës së FES në Kosovë.

Anisa Zogaj, Hulumtuese në Institutin GAP, prezantoi gjetjet e raportit ku theksoi se mbështetja financiare e kufizuar për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin e tyre. Për shkak të pengesave strukturore, burokracisë dhe mungesës së informacionit, shumë prej tyre mbeten jashtë skemave mbështetëse. Numri i bizneseve që përfitojnë nga grantet dhe subvencionet nga institucionet publike në nivel qendror dhe lokal është ende shumë i ulët. Ndërkohë, organizatat joqeveritare ofrojnë mbështetje më të drejtë dhe të përshtatur me nevojat specifike të këtyre bizneseve. Raporti rekomandon skema më gjithëpërfshirëse dhe më të thjeshta për grante e subvencione, me kuota të dedikuara për gratë dhe pakicat etnike, si dhe transparencë më të madhe në proceset e mbështetjes.

Besnik Berisha, Drejtor Menaxhues në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), tregoi se ky institucion ofron mbështetje për bizneset në pronësi të grave dhe të pakicave duke marrë përsipër deri në 70% të pjesës së rrezikut gjatë procesit të kreditimit. Përveç kësaj, në bashkëpunim me organizata të huaja, Fondi zhvillon edhe trajnime të ndryshme në mënyrë që të kompenzohen këto padrejtësi shoqërore dhe kulturore. Shqipe Breznica, Drejtoreshë në HELP Kosova, shpjegoi se qëllimi i organizatës është  të promovojë vetëpunësimin përmes granteve, trajnimeve dhe mentorimit të vazhdueshëm, me synim zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë. Ajo theksoi edhe disa nga sfidat që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në ekonomi dhe vendimmarrje, si normat kulturore, rolet gjinore tradicionale dhe mungesa e kapitalit dhe kolateralit. Lorika Govori, themeluese e biznesit “Punë n’dorë”, tregoi qëllimin e biznesit të saj, i cili u ofron mundësi punësimi grave të margjinalizuara. Ajo gjithashtu kërkoi që të bëhet thjeshtëzimimi i procedurave të aplikimit për grante, futja e kuotës gjinore në proceset e aplikimit, si dhe rritja e numrit të subvencioneve për gratë në të gjithë sektorët.

Në tryezën e diskutimit kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, organizatave te huaja dhe lokale si dhe akterë të tjerë. 

Raportin e plotë mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU.

Për çfarëdo pyetje apo informatë shtesë mos hezitoni të na kontaktoni.