Konferenca rajonale "Promovimi i një të ardhme të gjelbër industriale për Ballkanin Perëndimor"

05/11/2025

Më 3 nëntor 2025, në Tiranë, Instituti GAP, në kuadër të konferencës rajonale të përbashkët me Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB), të titulluar “Promovimi i një të ardhme të gjelbër industriale për Ballkanin Perëndimor”, prezentoi dhe publikoi raportin “Një kornizë për politika industriale të gjelbra në Ballkanin Perëndimor”.

Raporti propozon politika industriale të gjelbra për ta harmonizuar transformimin ekonomik në shtetet e Ballkanit Perëndimor me objektivat e dekarbonizimit, ashtu që vendet tona të bëhen më konkurruese, me mjedis më të pastër, me vende pune dinjitoze dhe më tërheqëse për investime të huaja.

Raporti rekomandon krijimin e instrumenteve financiare nxitëse për ndërmarrjet që investojnë në teknologji të pastra dhe inovacion, adaptimin e prokurimit publik të gjelbër si mekanizëm për të orientuar tregun drejt teknologjive të gjelbra, si dhe investime të qëndrueshme në aftësimin dhe ri-kualifikimin e fuqisë punëtore për sektorët në rritje. Një element kyç është edhe zbatimi i shpejtë i një mekanizmi kombëtar të çmimit të karbonit, të harmonizuar me kërkesat e Bashkimit Evropian për procesin e Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM). Për të siguruar që tranzicioni i gjelbër të jetë i qëndrueshëm dhe ekonomikisht i përballueshëm, raporti thekson rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës moderne energjetike, kalimin drejt ekonomisë qarkore dhe bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal në prodhimin dhe tregtimin e energjisë së ripërtëritshme.

Përmes katër paneleve të diskutimit me ekspertë rajonalë, analistë politikash, profesorë universitar dhe akterë të shoqërisë civile u diskutua për mundësitë e tranzicionit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor dhe përfitimet që do të ketë ky rajon nga një transformim strategjik, i drejtë dhe bashkëpunues në mes të gjashtë vendeve të rajonit. Në panelin e parë u prezantuan dhe u diskutuan politikat industriale të gjelbra dhe roli i tyre për Ballkanin Perëndimor. Paneli i dytë u fokusua te mundësia e rikthimit të vlerës nga mbetjet industriale dhe minierat e braktisura, ku pjesëmarrësit theksuan se rikuperimi i lëndëve të para kritike (CRM), si metale dhe minerale të vlefshme, mund ta shndërrojë trashëgiminë industriale të rajonit në një avantazh ekonomik dhe zhvillimor. Paneli i tretë trajtoi rolin e zonave të përshpejtuara dhe mekanizmave të integruar “one-stop shop” për të lehtësuar investimet në energji të ripërtëritshme. Ndërsa paneli i katërt vuri në pah rëndësinë e fuqizimit të grave në tranzicionin e gjelbër, si një komponentë thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në Ballkanin Perëndimor.

Raportin e plotë mund ta lexoni Këtu.