Për të pestën herë, Instituti GAP ka vlerësuar ndikimin ekonomik të festivalit
DokuFest 2025, një prej ngjarjeve kulturore më të rëndësishme në Kosovë dhe
më gjerë në rajon. Vlerësimi është bërë duke u bazuar në të dhënat e mbledhura
nga anketat me vizitorët e festivalit, me qëllim që të kuptohet më saktë niveli i
shpenzimeve të tyre gjatë qëndrimit dhe mënyra se si këto shpenzime ndikojnë
në ekonominë lokale.
Gjatë vitit 2025, festivali DokuFest tërhoqi gjithsej 15,507 vizitorë. Rezultatet e raportit
tregojnë se ndikimi ekonomik i këtij edicioni në ekonominë e Kosovës, vetëm nga
shpenzimet për konsum, arriti shumën mbi 5.2 milionë euro, një rritje prej 30% krahasuar
me edicionin e vitit 2023. Ndikimi ekonomik i festivalit në Bruto Produktin Vendor,
duke përjashtuar efektin e importeve, kap vlerën rreth 3.7 milionë euro. Ky kontribut
ekonomik u shpërnda në disa sektorë, përfshirë gastronominë, akomodimin dhe
transportin. Përveç rëndësisë së madhe kulturore që ka DokuFest për vendin, investimi
në organizimin e edicionit të vitit 2025 rezultoi tejet efektiv edhe financiarisht, pasi për
çdo 1 euro të investuar u gjeneruan 9 euro për ekonominë vendore.
Gjetjet kryesore të këtij raporti janë:
▪ Në DokuFest 2025 morën pjesë gjithsej 15,507 vizitorë. Nga këta, 53% (8,166)
ishin vizitorë të rinj që po merrnin pjesë në festival për herë të parë, ndërsa 47%
(7,341) kishin marrë pjesë edhe në edicionet e mëparshme të festivalit.
▪ DokuNights mbetet aktiviteti më i preferuar i vizitorëve, me 64% të të anketuarve
që kanë marrë pjesë ose planifikojnë të marrin pjesë në këtë aktivitet, pasuar
nga DokuTalks (panelet e diskutimit) me 46% të pjesëmarrjes.
▪ Rreth 60% e vizitorëve theksojnë atmosferën e veçantë të festivalit si motivin
kryesor të pjesëmarrjes së tyre. Ndërkaq, 49% e vizitorëve e rendisin interesimin
për filmat dhe krijuesit e pranishëm si arsyen e dytë më të rëndësishme për të
marrë pjesë në festival.
▪ Në bazë të anketës, rreth 33% e vizitorëve të DokuFest ishin vizitorë ndërkombëtarë,
me pothuajse gjysmën e tyre që po e vizitonin vendin për herë të parë.
▪ Shumica e vizitorëve patën një përvojë shumë pozitive. Rreth 63% u shprehën
shumë të kënaqur, ndërsa 16% deklaruan se ishin deri diku të kënaqur. Vetëm
1% e vizitorëve shprehën pakënaqësi. Festivali rezultoi i suksesshëm dhe i
qëndrueshëm, gjë që dëshmohet nga fakti se rreth 91% e pjesëmarrësve
planifikojnë të kthehen sërish vitin e ardhshëm.
▪ Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), qarkullimi i
bizneseve në Prizren gjatë muajit gusht 2025 kur është mbajtur festivali, ka
shënuar një rritje prej 3%. Konkretisht, të hyrat e përgjithshme kanë arritur
vlerën prej 113.8 milionë euro, krahasuar me 110.3 milionë euro të regjistruara
në muajin korrik të vitit 2025.
▪ DokuFest solli përfitime të rëndësishme ekonomike për Kosovën. Për çdo 1 euro
të investuar në festival, ekonomia ka përfituar 9 euro shpenzime. Nëse analizohen
vetëm fondet publike të investuara, ndikimi është edhe më i madh: për çdo 1
euro publike të shpenzuar, festivali ka gjeneruar 35 euro për ekonominë e vendit.
▪ Shpenzimet mesatare ditore të vizitorëve që janë banorë të Prizrenit gjatë
DokuFest 2025 ishin 52.7 euro, ndërsa të vizitorëve nga vendet jashtë Prizrenit
ishin 102.2 euro.
▪ Vizitorët nga vendet jashtë Prizrenit shpenzuan kryesisht për akomodim (27.1% e
shpenzimeve), si dhe ushqim dhe pije (23% e shpenzimeve), duke treguar kështu
se këto dy kategori përbëjnë gjysmën e shpenzimeve të tyre gjatë qëndrimit
në Prizren.
Raporti i plotë: https://www.institutigap.org/documents/42474_Dokufest%202025_(SHQ).pdf