Letërnjoftimi i Komunës së Mitrovicës 2013

14/05/2013

Instituti GAP publikon raportin e 27 me radhë për qeverisjen komunale pas zgjedhjeve lokale të 2009

“Letërnjoftimin e Komunës së Mitrovicës 2013” mund ta lexoni duke klikuar këtu:

Komuna e Mitrovicës gjatë tri viteve të kaluara ka gëzuar mbështetje të gjerë nga donatorët ndërkombëtar në realizimin e disa projekte madhore. Vlera e mjeteve të investuara nga donatorët gjatë tri viteve kalon shifrën e 30 milionë eurove, apo dyfish më shumë se sa vlera e investimeve kapitale të bëra nga vetë Komuna e Mitrovicës gjatë kësaj periudhe. Edhe përkundër kësaj, mitrovicasit vazhdojnë të përballen me probleme pothuajse të njëjta me ato të periudhës së para zgjedhjeve lokale të 2009. Mungesa e ujit të pijes, prezencës së shtuar të mbeturinave nëpër qytet, pamundësia e lëvizjeve së udhëtareve me transport publik apo me transport të rregulluar, rrugë të paasfaltuara, rrugë të dëmtuara, ndotja e ambientit, mungesa e mirëmbajtjes nëpër ndërtesa publike, pamundësia e ofrimit të shërbimeve mjekësore, etj., janë vetëm disa nga problemet aktuale të banorëve të Komunës së Mitrovicës.

Gjatë kësaj periudhe, 2010-2012, Komuna e Mitrovicës renditet e komuna e tretë në nivel vendi, pas Gjilanit dhe Skënderajt, për shkallën më të lartë të borxhit publik. Mbi 1.3 milionë euro kjo komunë konsiderohet t’u këtë borxh operatoreve privat me të cilët ka kontraktuar punë dhe shërbime pa pasur mbulim financiar. Krahas hyrjes në borxh, Komuna e Mitrovicës ka përmbyllur vitin 2012 me rënien e të hyrave vetanake në rreth 300.000 euro.

Gjatë vitit 2012, gjithsej shuma e mjeteve që Komuna e Mitrovicës ka investuar për zgjerimin dhe rregullimin e trotuareve ka qenë 49.000 euro, përderisa për të njëjtën periudhë të këtij viti derivate për vetura janë shpenzuar mbi 69.000 euro. Njësoj rezulton krahasimi i shpenzimeve mes investimeve në instalimin e rrjetit të kanalizimit. Kësisoj, gjatë gjithë vitit 2012 shuma e investuar për rregullimin e kanalizimeve ka qenë 14.472 euro, përderisa për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve gjatë 2012 janë shpenzuar 40.674 euro.
Nga gjithsej 1.862 persona sa llogariten të punësuar në administratën komunale, në sistemin e arsimit dhe atë të shëndetësisë, vetëm 535 janë me diploma universitare, përderisa 1.327 persona janë me shkollim fillor, të mesëm ose me shkollim të lartë.

Komuna e Mitrovicës, sikurse Peja, ka numrin më të madh të drejtorive komunale, gjithsej 14. Asnjë nga drejtoritë nuk udhëhiqet nga femrat.

Në 2010-2012, Komuna e Mitrovicës ka lidhur 603 kontrata nëpërmjet procedurave të prokurimit publik dhe vetëm 73 i ka dërguar për publikim në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Kjo e bënë këtë komunë me nivelin më të ulet të publikimit të njoftimeve që lidhen me prokurimin publik. Edhe me i vogël është numri i njoftimeve që kjo komunë ka në faqen e saj zyrtare që lidhen më tenderët e shpallur publik.

Për tri vite, 2010-2012, Komuna e Mitrovicës për telefona mobil e fiks ka shpenzuar 173.437 euro, për darka e dreka 103.376 euro, derivate për vetura 204.886 euro, ndërsa për riparimin dhe mirëmbajtjen e veturave zyrtare gjatë tri viteve të fundit komuna e Mitrovicës ka shpenzuar 138.769 euro.