Instituti GAP, me mbështetjen e GIZ në emër të Qeverisë Gjermane, organizoi tryezën e diskutimit ku u prezantua raporti “Fuqizimi i kapaciteteve të komunave për angazhimin e diasporës në Kosovë”.
Raporti paraqet një vlerësim të plotë të shërbimeve që lidhen me diasporën në nivel komunal në Kosovë, me synimin për të identifikuar ndërhyrje praktike që mund të përmirësojnë angazhimin lokal, ofrimin e shërbimeve dhe koordinimin me komunitetet e diasporës.
Në raport evidentohet mungesa e një kornize ligjore që do të siguronte mbështetje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar për angazhimin e diasporës në nivel komunal. Brenda këtij kuadri ligjor të paqartë, komunat kanë miratuar një sërë organizimesh institucionale. Disa kanë krijuar struktura formale, si drejtori për diasporën, sektorë ose zyra të dedikuara, ndërsa të tjerat kanë ngritur njësi më të vogla ose nuk kanë fare infrastrukturë që lidhet me diasporën. Për më tepër, komunat shpesh nuk kanë burimet dhe qartësinë ligjore të nevojshme për të krijuar pozita të reja që lidhen me diasporën ose për të integruar çështjet e diasporës në planifikimin afatgjatë. Andaj, zyrtarët për diasporë në disa komuna janë të shpërndarë në drejtoritë për kulturë, ekonomi, administratë apo turizëm dhe, në shumicën e rasteve, kanë edhe përgjegjësi të tjera administrative ose operative, çka e bën angazhimin ndaj diasporës sezonal dhe kryesisht formal.
Shërbimet administrative mbeten forma më e zakonshme e angazhimit të diasporës me nivelin lokal, të fokusuara kryesisht në dokumentacionin civil dhe regjistrimin e pronës. Disa komuna kanë ndërmarrë hapa për të përmirësuar cilësinë dhe qasjen në këto shërbime, veçanërisht gjatë periudhave të vizitave të mëdha të diasporës, por angazhimi më i gjerë ekonomik dhe kulturor mbetet i kufizuar. Ndonëse dallohet rritjet e interesimit të komuniteteve të diasporës për të investuar në Kosovë, veçanërisht në sektorë si ndërtimtaria, bujqësia, gastronomia dhe prodhimi, shumë prej komunave ende nuk kanë sisteme për të ndjekur në mënyrë efektive këto kërkesa apo regjistruar të njëjtat në databaza që përditësohen rregullisht. Në përgjithësi, komunat nuk kanë hapësira të dedikuara për informim dhe komunikim me diasporën në faqet e tyre zyrtare.
Po ashtu, gjatë tryezës, z. Bekim Salihu, analist politikash në GAP, tha se raporti gjen se koordinimi ndërmjet MPJD-së dhe komunave mbetet i ulët dhe jo sistematik, gjë që ka sjellë përsëritje të aktiviteteve, pasiguri në politika dhe qasje të kufizuar në programet kombëtare.
Instituti GAP rekomandon krijimin e pozitave të dedikuara për zyrtarë të diasporës në komuna, me mandate të qarta dhe kapacitete të forcuara profesionale, si dhe institucionalizimin e shërbimeve për diasporën gjatë gjithë vitit, duke i zgjeruar ato përtej detyrave administrative drejt investimeve, turizmit dhe angazhimit ekonomik. Po ashtu, theksohet nevoja për zhvillimin e strategjive afatgjata komunale për angazhimin e diasporës, të harmonizuara me politikat kombëtare dhe të mbështetura nga struktura të përhershme dialogu dhe koordinim i forcuar me MPJD. Raporti thekson rëndësinë e rritjes së dukshmërisë së mundësive për investime përmes platformave digjitale, bazave të përbashkëta të të dhënave dhe paketave për investitorë, si dhe integrimin e shoqatave të diasporës, partneriteteve ndërkombëtare dhe mekanizmave ndërkomunalë për zhvillim lokal dhe tërheqje të investimeve. Në këtë kontekst, rekomandohet mbështetja e nismave për të rinjtë, gratë dhe kthimin e profesionistëve nga diaspora përmes skemave të granteve dhe qasjeve të ndjeshme ndaj gjinisë, si dhe zhvillimi i një sistemi të unifikuar digjital me platformën e-Diaspora si portë qendrore për shërbime komunale dhe kombëtare.
Në tryezën e diskutimit kontribuan edhe kryetarët e komunave, përfaqësuesit e GIZ, zyrtarë komunal, përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror dhe akterë të tjerë.
Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.