Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Projektbuxheti 2026 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve” Qeveria e Kosovës miratoi me 12 shkurt 2026 projektbuxhetin e vitit 2026. Verzioni i miratuar është i njëjti me atë që Qeveria në detyrë e kishe miratuar me 31 tetor 2025 dhe nuk reflekton strukturën e Qeverisë së re, që tani do të ketë 19 ministri. Po ashtu, ky projektbuxhet nuk është përgatitur bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), e cila nuk është miratuar dhe publikuar fare për periudhën 2026–2028.
Buxheti i Kosovës për vitin 2026 parasheh gjithsej shpenzime rreth 4 miliardë euro, një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2025. Shpenzimet rrjedhëse pritet të rriten për 279 milionë euro (+11%) dhe të arrijnë në rreth 2.9 miliardë euro, duke zënë 73% të buxhetit, ndërsa shpenzimet kapitale rriten për 67.1 milionë euro (+7%) dhe kapin vlerën 998.4 milionë euro, ose 25% të buxhetit. Gjatë periudhës 2019-2025, shpenzimet për subvencione dhe transfere pothuajse janë dyfishuar si vlerë, ndërkaq investimet kapitale janë rritur vetëm për rreth 35%. Ky zhvillim i tillë kufizon mundësinë për të investuar në projekte infrastrukturore, ndonëse investimet publike kanë një efekt multiplikues shumë të lartë në ekonomi.
Buxheti total i nivelit qendror, pa përfshirë pagesat për interesin e borxhit publik, do të jetë rreth 3 miliardë euro (+9.6% krahasuar me 2025), ndërkaq ai i nivelit lokal rreth 867 milionë euro (+10.1% krahasuar me 2025). Pjesa më e madhe e rritjes së buxhetit tek niveli qendror (ministror) në vitin 2026 shkon tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, që do të ketë rritje prej rreth 174 milionë eurove apo 17%. Krahasuar me vitin 2025, tek kjo ministri, kategoria e pagesave për pensione planifikohet të rritet për 95 milionë euro apo 20% në vitin 2026, skema për lehonat dhe shtesat për fëmijë për 75 milionë euro apo 52%, duke arritur në 220 milionë euro si skemë, etj. Buxheti për shëndetësi në vitin 2026 parashihet të arrijë në rreth 396 milionë euro, me rritje prej 10% krahasuar me vitin 2025, kurse buxheti për arsim arrin në rreth 408.7 milionë euro, apo 6% më shumë se në vitin 2025. Ndërkaq, buxheti për sektorin e drejtësisë shënon rritje prej rreth 2%, kryesisht për institucionet e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Në sektorët tjerë, buxheti nuk dallon shumë nga viti i kaluar, si dhe nuk adresohen nevojat nga aspekti buxhetor për zbatimin efektiv të strategjive kyçe për ekonominë tonë, sikurse për Strategjinë e Energjisë.
Për herë të parë në projektbuxhet përfshihet edhe paga e 13-të për sektorin publik. Megjithëse rritja e përgjithshme e faturës së pagave mbetet brenda kufijve të lejuar fiskalë, ajo nuk është në harmoni me Ligjin e pagave dhe përfaqëson ndërhyrje ad-hoc në politikën e pagave, siç ishte rasti edhe vitin e kaluar me ndryshimin e koeficientëve.
Mbi 81% e buxhetit të projekteve kapitale në vitin 2026 është për projektet që do të vazhdojnë nga vitet e kaluara, ndërsa projektet e reja mbeten të kufizuara si në numër ashtu edhe në vlerë dhe kryesisht janë projekte të vogla. Edhe pse në vitet 2024 dhe 2025 është shënuar përmirësim në shkallën e realizimit të investimeve, nivelet e fondeve të pashpenzuara mbeten të larta marr parasysh nevojën në ekonomi për investime. Mosrealizimi i investimeve kapitale ka krijuar kosto të konsiderueshme oportune për ekonominë dhe qytetarët. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, realizimi i investimeve kapitale ka qenë rreth 1 miliard euro më i ulët se planifikimi, duke reflektuar dobësi të vazhdueshme në planifikimin dhe zbatimin e projekteve kapitale.
Shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror në komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse më e balancuar nga aspekti partiak, duke nxjerrë në pah pabarazi. Po ashtu, janë 11 komuna që e kanë miratuar buxhetin e vitit 2026 me vonesë, por që Kuvendi i Kosovës ka hapësirë ligjore që t’ua ndryshojë kufijtë e buxhetit mes dy leximeve të këtij projektligjit. Një praktikë pozitive në projektbuxhet është se Ministria e Financave nuk i ka ulur buxhetet e komunave me rënie të popullsisë, duke mos i penalizuar ato dhe duke marrë parasysh se nevojat për investime mbeten të larta.
Dokumenti informues për qytetarët rreth projektbuxhetit nuk publikohet me kohë as këtë vit, ndonëse praktikat e mira kërkojnë një përmbledhje të qartë të ndryshimeve dhe politikave buxhetore. Po ashtu, projektbuxheti vazhdon të mos adresojë perspektivën gjinore, duke munguar analiza e ndikimit dhe masat për promovimin e barazisë gjinore.
Për më shumë raportin mund ta gjeni duke klikuar këtu.