Sot, në një ngjarje rajonale në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe Bashkimit Evropian, Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit (International Budget Partnership - IBP) ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur 2025 (Open Budget Survey – OBS) për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Instituti GAP, në bashkëpunim me IBP, ka realizuar anketën për Kosovën dhe ka vlerësuar nivelin e transparencës, mbikëqyrjes legjislative dhe auditimit të pavarur, dhe pjesëmarrjes së publikut në procesin buxhetor.
Sipas rezultateve të OBS 2025, sa i përket transparencës buxhetore, Kosova ka shënuar 57 nga 100 pikë, me mesatare më të lartë se ajo e rajonit prej 52 pikësh. Përkundër se Ministria e Financave në Kosovë harton një dokument ku shpjegohet buxheti për qytetarët, i njëjti nuk publikohet në kohë siç sugjerojnë praktikat e mira buxhetore. Po ashtu, një nga mangësitë kryesore mbetet mungesa e publikimit të Rishikimit buxhetor të mesit të vitit, çka kufizon transparencën gjatë zbatimit të buxhetit.
Kosova ka arritur rezultat prej 32 pikëve sa i përket pjesëmarrjes publike në procesin buxhetor në Ballkanin Perëndimor, që është rezultat më i mirë se i shteteve tjera në rajon, kryesisht për shkak të dëgjimeve buxhetore që organizojnë komunat. Niveli qendror nuk organizon dëgjime të tilla me qytetarë apo akterë të shoqërisë civile. Ngjashëm, as Kuvendi i Kosovës nuk fton organizata të shoqërisë civile në dëgjime publike në kuadër të komisioneve parlamentare para miratimit të projektbuxheteve vjetore.
Sa i përket mbikëqyrjes nga legjislativi dhe auditimi i pavarur, Kosova ka shënuar gjithsej 61 pikë. Mbikëqyrja legjislative vlerësohet me 50 pikë, ndërsa mbikëqyrja nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur 84 pikë, duke reflektuar një nivel më të avancuar të kontrollit të jashtëm të financave publike. Problematike mbetet veçanërisht mungesa e një mbikëqyrjeje efektive nga Kuvendi i Kosovës gjatë zbatimit të buxhetit. Shumë vende kanë themeluar institucione të pavarura fiskale për të siguruar një mbikëqyrje efektive në këtë aspekt, e që Kosova ende nuk ka një të tillë. Përmirësimi i transparencës fiskale, forcimi i mbikëqyrjes dhe koordinimi më i mirë institucional mbeten kyçe për rritjen e besimit të publikut dhe qeverisjes më efektive në Kosovë.
Në nivel rajonal, OBS 2025 tregon përparim në publikimin e dokumenteve kryesore buxhetore, por sfidat vazhdojnë në rritjen e pjesëmarrjes publike dhe në zbatimin e rekomandimeve të auditimit nga ana e ekzekutivit.
Rezultatet e anketës mund ti gjeni duke klikuar këtu.