Procesi i hartimit të Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës: Gjithëpërfshirja dhe transparenca

17/05/2013

Instituti GAP në kuadër të Forumit për Siguri, në konferencën datë 15 maj, me të ftuar nga institucionet përkatëse të sektorit të sigurisë, prezantoj analizën “Procesi i hartimit të Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës: transparenca dhe gjithëpërfshirja”

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:
Shkarko dokumentin:

Në këtë analizë, GAP adreson disa aspekte me rëndësi për procesin e hartimit të strategjisë së re të sigurisë së Kosovës, si kohëzgjatja, gjithëpërfshirja, transparenca dhe debati publik, duke ofruar shembuj nga vende që përfaqësojnë shembuj të suksesshëm të konsultimeve gjithëpërfshirëse dhe transparente në procese të tilla.

Procesi i hartimit të Strategjisë të Sigurisë së Kosovës nuk ka qenë gjithëpërfshirës, transparent, dhe strategjia nuk është bërë publike as pas miratimit. Madje, versioni final i strategjisë ishte imponuar nga Zyra Këshillëdhënëse për Siguri në kuadër të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Prandaj, procesi i hartimit të Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent. Përveç institucioneve publike, në procesin e hartimit të strategjisë duhet të marrin pjesë shoqëria civile, mediat, ekspertë të pavarur të fushës, parti politike, dhe palë tjera të interesuara.

Vendimi 09/67 i Qeverisë së Kosovës (mars 2012) për miratimin e nismës së Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS) në Kosovë, përkatësisht pika 1.6 e tij, përcakton nxjerrjen e një Strategjie të re të Sigurisë së Kosovës. RSSS ka një strukturë organizative nën drejtimin e Komitetit Drejtues të cilin e udhëheq Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nxjerrja e një Strategjie të re të Sigurisë bazuar në këtë vendim, përkatësisht pikën 1.6 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nenin 127 i cili përcakton se Këshilli i Sigurisë i Kosovës (KSK) në bashkëpunim me Presidentin dhe Qeverinë, nxjerrin Strategjinë e Sigurisë së Kosovës. Përveç kësaj, vendimi në fjalë është në kundërshtim edhe me Ligjin për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, përkatësisht nenin 2.1 i cili përcakton se Këshilli i Sigurisë së Kosovës, në koordinim me Presidentin e Kosovës, përgatitë dhe shqyrton Strategjinë e Sigurisë e cila miratohet nga Qeveria dhe i dorëzohet Kuvendit të Kosovës për miratim përfundimtar.

Procesi i hartimit të Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës duhet të fillojë pas përfundimit të procesit të RSSS-së. Nxjerrja e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës dhe RSSS duhet të jenë procese të ndara. Inicimi i këtij procesi duhet të jetë i hapur dhe të merret vendim nga ana e Qeverisë, e cila në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet tjera, do të autorizonte Këshillin e Sigurisë së Kosovës që të koordinonte procesin e hartimit të saj. ShBA dhe Franca janë dy vende që përfaqësojnë shembuj të mirë të një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent në hartimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.

Të gjitha vendet e regjionit dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), bëjnë publike dokumente qoftë në formë të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare qoftë në formë të një dokumenti relevant për sigurinë dhe mbrojtjen e tij. Strategjia e Sigurisë Kombëtare nuk është dokument konfidencial dhe si i tillë bëhet publik. Prandaj, bazuar edhe në Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë në Kosovë, Strategjia e Sigurisëe Kosovës do të duhej të jetë publike dhe lehtë e qasshme nga të gjithë.