Instituti GAP ka publikuar raportin “Institucionet e kujdesit në Kosovë: Kapacitetet dhe shpërndarja gjeografike në kontekstin e punësimit të grave”, i cili vlerëson disponueshmërinë dhe shpërndarjen e institucioneve parashkollore dhe shërbimeve të kujdesit për të moshuarit, si dhe ndërlidhjen e tyre me pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
Nga 278 institucione parashkollore të regjistruara në Kosovë, rreth 81% janë të përqendruara në zonat urbane, duke kufizuar qasjen e familjeve në zonat rurale. Vetëm rreth 26% e fëmijëve të moshës 0 deri në nën 6 vjeç janë të regjistruar në arsimin parashkollor dhe parafillor, ndërsa për fëmijët e moshës 0–4 vjeç kjo përqindje është vetëm rreth 13%.
Shpërndarja e institucioneve parashkollore është e pabarabartë. Shumë vendbanime rurale nuk kanë institucione të tilla, edhe kur kanë numër të konsiderueshëm fëmijësh. Në nivel komunal, regjistrimi i përgjithshëm varion nga 41% në Prishtinë deri në 11% në Dragash dhe 15% në Obiliq. Pjesa më e madhe e komunave kanë më pak se dy institucione parashkollore për 1,000 fëmijë, ndërsa dhjetë komuna kanë vetëm një ose më pak.
Në 27 komunat e përfshira në raport, të dhënat tregojnë një ndërlidhje mes disponueshmërisë së institucioneve parashkollore dhe niveleve më të ulëta të joaktivitetit dhe papunësisë së grave. Megjithatë, kjo ndërlidhje nuk nënkupton marrëdhënie shkak-pasojë, pasi pjesëmarrja e grave në tregun e punës ndikohet edhe nga faktorë të tjerë.
Për rreth 178,000 persona mbi 65 vjeç në Kosovë, funksionojnë vetëm 15 institucione publike dhe me bazë në komunitet në komunat e përfshira në raport. Disa komuna me numër të madh të të moshuarve nuk kanë asnjë qendër publike të kujdesit për ta.
Gjetjet tregojnë se mungesa dhe shpërndarja e pabarabartë e shërbimeve të kujdesit krijojnë barriera shtesë për gratë, të cilat vazhdojnë të mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësive të papaguara të kujdesit.
Raporti rekomandon zgjerimin e institucioneve parashkollore dhe shërbimeve të kujdesit për të moshuarit, veçanërisht në komunat dhe vendbanimet ku nevojat janë më të mëdha. Gjithashtu, rekomandohet përmirësimi i transportit dhe i politikave familjare që mundësojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
Për më shumë detaje, lexoni raportin e plotë këtu.
Ky raport është realizuar në kuadër të projektit “Më Shumë Zgjedhje: Politikat e Përgjegjshme Gjinore për Familjen për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor – Faza 2”, i zbatuar në Kosovë nga Instituti Riinvest – Womens Economic Forum, i mbështetur nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA) dhe i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC).